Shkup, 30 korrik – Në mesin e tetë instituteve publike shkencore që përfituan projekte hulumtuese dyvjeçare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, është edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Projekti me titull “Mbledhja dhe hulumtimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të zonës së Kumanovës me rrethinë dhe krijimi i Platformës Elektronike të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në RMV”, synon dokumentimin, hulumtimin dhe digjitalizimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në zonën e Kumanovës dhe rrethinës së saj.
Gjatë nënshkrimit të projekteve mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila theksoi se firmosja e marrëveshjeve me institucionet publike shkencore tregon se kjo Qeveri dhe Ministria, investojnë në zhvillimin e përshpejtuar të shkencës.
Për ITShKSh-në, marrëveshjen e nënshkroi drejtori në detyrë, Besnik Emini, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së këtij projekti, përmes të cilit do të mundësohet që një numër i madh i studiuesve të sferës së gjuhës, letërsisë, etnologjisë, historisë dhe disiplinave tjera, përmes një pune serioze ekipore në terren, të mbledhin thesare shumë të çmuara të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të anës së Kumanovës.
Nëpërmjet punës kërkimore ndërdisiplinore në terren në fushat e gjuhësisë, etnologjisë, folklorit e historisë, do të mblidhen dhe përpunohen të dhëna autentike mbi pasurinë kulturore të kësaj treve. Kurse, Platforma do të shërbejë si arkivë digjitale për ruajtjen, dokumentimin dhe shpërndarjen e materialeve të grumbulluara. Do të jetë e hapur dhe e zgjerueshme me të dhëna nga rajone të tjera shqiptare, duke krijuar kështu një bazë të dhënash që do të shërbejë si burim referimi për hulumtime të ardhshme shkencore dhe për edukim kulturor.
Bartës i projektit është këshilltari shkencor, Sevdail Demiri, ndërsa koordinatore kryesore është këshilltarja shkencore, Hidajete Azizi, derisa pjesë e projektit janë paraparë të jenë studiues të dalluar të shkencave albanologjike në kuadër të departamenteve të Institutit, por edhe nga jashtë.