Fjala lamtumirëse në varrimin e Lindita Ahmetit

E dashura Lindë, po qëndrojmë sot pranë varrit tënd, duke u ndarë prej teje dhe duke mos u besuar as gjuhëve tona e as veshëve tanë se sot e varrosëm kolegen, miken, studiuesen, përkthyesen dhe poeten e dashur Lindita Ahmeti.

Përmes pikëllimit të pamatur, dhimbjes së thellë dhe mungesës së fjalëve për ta shprehur atë që sot na e thotë zemra e që fjalët nuk mund ta thonë, ne – kolegët tu të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – po qëndrojmë pranë varrit tënd zemërthyer për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme.

Kur ti erdhe në Institut, ishe një motiv shtesë për të gjithë ne, sepse zelli yt për hulumtime, dashuria jote ndaj punës, përkushtimi yt në studime, artikujt tu të botuar dhe, veçmas, mirësjellja jote në kolektivin tonë na bëri të të duam më shumë, të të respektojmë edhe më shumë dhe të të admirojmë pa masë.

Ndonëse emri yt qëndron në krye të listës së poetëve më të mirë shqiptarë dhe ne si komb do të jemi pafundësisht falënderues që ti e bëre gjuhën shqipe të këndohet aq bukur, jo më pak të rëndësishme do të mbeten edhe studimet tua për letërsinë antike, një fushë në të cilën ti ke qenë e vetmja që ke shkruar me kompetencë shkencore dhe ke bërë që të gjithë ne të mburremi me artikujt dhe kumtesat tua.

Do të mbetesh në kujtimet tona si një Antigonë që më shumë se gjithkush u kujdes për vëllain e saj dhe kjo doli të ishte një parandajenjë se kaq shpejt do të bashkohesh me të.

Ashtu si në letërsinë antike, ti erdhe, parakalove dhe na mësove se si duhet ta gjejmë njeriun e humbur të Diogjenit dhe ike duke na lënë kujtimet më të mira.

Edhe sot, kur zemrat tona janë të thyera, kur syri loton, kur fjalët na duken të varfra për ta shprehur dhimbjen, ne mund ta themi atë që e thanë grekë e lashtë “Vdekja është e pavdekshme. Të gjitha të tjerat janë të vdekshme”.

Gjithmonë krenarë që jetuam në kohën që jetoi Lindita Ahmeti.

Zoti e pastë mëshiruar Lindën tonë!

Lavdi shpirtit të saj!

 

Shkup, 09.04.2024

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …