Shkup, nëntor 2025 – Këshilltari shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Sevdail Demiri, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe është laureuar me Çmimin e lartë shtetëror “22 Nëntori”. Çmimi iu nda të shtunën në Sallën Kristale të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi dhe Kryetarit të Këshillit për Ndarjen e Çmimit Shtetëror 22 Nëntori, Reshat Ameti.
Në fjalën e rastit, Demiri shprehu falënderim të thellë për këtë nder të jashtëzakonshëm shtetëror, i cili, siç tha ai, vjen si kurorë e pothuajse tre dekadave punë të pandërprerë në sferën publike, në kulturë, shkencë e publicistikë. “Këtë çmim ia dedikoj nënës sime të ndjerë, e cila, pa fajin e saj, bashkë me familjen ishte viktimë e sistemit të kaluar, duke vuajtur që në fëmijërinë e hershme nëpër kampet e internimit. Qëndresa dhe dinjiteti i saj kanë qenë gjithmonë frymëzim i jetës dhe punës sime. Por ky çmim i takon edhe kolegëve, miqve, familjarëve dhe secilit person, që në një formë apo tjetër, ka qenë pjesë e suksesit tim. U jam mirënjohës përjetë, të gjithëve!”, u shpreh ai.
Ndryshe, Sevdail Demiri e nisi ushtrimin e profesionit të gazetarit si gjimnazist në RTV “Zëri i Kumanovës”, për të zhvilluar më pas një jetë të begatshme profesionale. Në moshën 22-vjeçare botoi librin e parë me poezi në kuadër të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, të cilin klub më vonë e drejtoi në dy mandate. Studioi për gjuhë e letërsi shqipe dhe histori. Më 2013, në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup mbrojti tezën e doktoratës në lëmin e historisë së gazetarisë. U punësua në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku për tetë vjet ishte kryetar i Këshillit, dhe me punë e përkushtim arriti deri te titulli i fundit Këshilltar Shkencor / Profesor Ordinar. Ligjëroi në Kolegjin “UBT” në Prishtinë, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe në ITShKSh – Shkup.
Demiri është autor ose bashkautor i mbi 15 veprave të vlerësuara nga kritika profesionale, ndërsa nëpër duart e tij deri më tani kanë kaluar procesin redaktimit e recensimit mbi 300 libra e botime të ndryshme. Ka marrë pjesë si organizator ose referues në dhjetëra aktivitete letrare, kulturore – shkencore, ku u shpërblye me shumë çmime e mirënjohje.
Krahas Demirit, laureat Çmimi “22 Nëntori” për vitin 2025 ishte edhe shkrimtari Resul Shabani. Ky vlerësim u jepet figurave nga jeta kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës njerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis anëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në vend.

ITSH Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup