Shkup, 18 nëntor 2025. Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në vazhdën e aktiviteteve të shumta përkitazi me edicionin VII të shënimit të Ditëve të Alfabetit të gjuhës shqipe, u bë përurimi i 11 vëllimeve të kolanës “Mid`hat Frashëri-Vepra të zgjedhura”, botuar nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo” në Tiranë.
Aktivitetin e përshëndeti drejtori i ITSHKSH-së, njëkohësisht edhe nikoqir i kësaj ngjarjeje, prof. dr. Besnik Emini, i cili e vlerësoi figurën e shquar të Mitat Frashërit, e ndërkaq përurimin e kolanës së librave e vlerësoi si punë mjaft të rëndësishme.
Në këtë aktivitet, u lexua edhe një recension për librat, i shkruar nga z. Uran Butka, ku u shkoqit fushëveprimi dhe veprimtaria e atdhetarit, Mitat Frashëri. Letrën e lexoi hulumtuesi shkencor, i cili njëkohësisht edhe e udhëhoqi programin përurues, z. Ardian Ramadani.
Mes tjerash, këtë aktivitet, në paraqitjen e tij përmes videos, e përshëndeti historiani i lartpërmendur nga Shqipëria, z. Uran Butka, i cili në mënyrë të thuktë në pika të shkurtra shtjelloi secilin prej 11 vëllimeve të kolanës së përuruar, e ku mes tjerash u vu në pah roli i kësaj figure, si njëri nga etërit e nacionalizmit modern shqiptar.
Për figurën e Mitat Frashërit, si dhe për librat e botuara të tij, foli edhe historiani shqiptar nga Shkupi, z. Qerim Lita, i cili theksoi se figura e Mitat Frashërit, si njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, si bartës i funksioneve ministrore dhe diplomatike në shtetin e pavarur shqiptar, por edhe si shkrimtar dhe publicist, e si përkthyes, e ka vendin e lavdishëm dhe të padiskutueshëm në historinë dhe historiografinë shqiptare.

ITSH Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup