ITSHKSH HAP DITËT E ALFABETIT ME PËRKUJTIMIN E HISTORIANIT SHUKRI RAHIMI

E hënë, 17 nëntor 2025, Shkup. Edhe këtë vit Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve realizon manifestimin kulturor dhe shkencor “Ditët e Alfabetit” me një program të pasur njëjavor, me ligjërata, takime shkencore, përurime e një varg aktivitetesh të tjera, duke nisur nga e hëna 17 nëntor e deri të shtunën, 22 nëntor. Me nderim të lartë, aktiviteti i parë kësaj here iu dedikua jetës dhe veprës së figurës së historianit të madh Shukri Rahimi, duke e përkujtuar atë në 100-vjetorin e lindjes së tij.
Në hapje të kësaj ngjarje solemne, mori fjalën drejtori i Institutit Besnik Emini, i cili theksoi se “profesori Shukri Rahimi në një kohë delikate shkroi vepra të cilat zhvendosën kufijtë e historiografisë shqiptare. Vepra e tij monumentale “Vilajeti i Kosovës”, do ta bëjë që të njihet edhe përtej kufijve të Jugosllavisë së atëhershme. Profesori Shukri Rahimi ishte ndër themeluesit e shoqatës së historianëve shqiptarë në Maqedoni, një ndër shoqatat më të hershme gjatë viteve të tranzicionit në Maqedoni”. Ai gjithashtu falënderoi përzemërsisht familjen e tij për dhurimin kaq bujar të bibliotekës personale duke u shprehur se ajo do të kalojë “nga familja Rahimi në familjen e Insitutit”.

Pjesë kryesore e kësaj ngjarje ishte historiani Nebi Dervishi, i cili mes tjerash është dhe një ndër studentët e profesorit Shukri Rahimi gjatë viteve të ligjërimit të tij në Universitetin e Prishtinës. Me këtë rast Dervishi shpalosi jetën dhe veprën e profesorit Shukri Rahimi. “Është i madh numri i nxënësve të tij në Shkollën Normale në Shkup dhe të studentëve në akademinë e lartë pedagogjike në Shkup, si dhe të atyre në universitetin në Prishtinës që morën dije nga profesori Shukri Rahimi”, u shpreh ai. Në përmbyllje të kësaj ngjarjeje publikut iu drejtua Flutura Rahimi, përfaqësuese e familjes Rahimi, mbesa e Shukri Rahimit. “Xhaxhai im i takonte atij brezi te dijetarëve që historinë nuk e shihnin vetëm si shkencë, por si detyrim moral e kombëtar”, u shpreh ajo.

Roli i profesorit Shukri Rahimi pa dyshim që ishte i pazëvendësueshëm në përgatitjen akademike të disa gjeneratave të historianëve nga të gjitha trevat shqiptare. Me shuarjen e prof. Shukri në moshën 96 vjeçare, mbyllet edhe një kapitull i rëndësishëm i shkencave tona albanologjike, por në anën tjetër hapen horizonte të reja që mbi standardet shkencore që ai vendosi. ITSHKSH ka nderin e madh të shërbejë si një vatër trashëgimie shpirtërore e kulturore që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm për një edukim të mirëfilltë mbi çështjet historike, kulturore e atyre të identitetit shqiptar. Me këtë rast, bibliotekën e profesorit Shukri Rahimi, e vlerësojmë si një gur të rëndësishëm që i shtohet kalasë së kujtesës dhe intelektit kombëtar, e që do të shërbejë si një udhërrëfyes për studiuesit tanë, por edhe ata të huaj.

Shikoni gjithashtu

VIZITË E MINISTRES ELISA SPIROPALI DHE AMBASADORIT DENION MEIDANI NË ITSHKSH

VIZITË E MINISTRES ELISA SPIROPALI DHE AMBASADORIT DENION MEIDANI NË ITSHKSH Shkup, 23 dhjetor 2025. …