Java e Trashëgimisë Kulturore 2025

Më 20 maj 2025 u mbyll me sukses Konferenca shkencore “Java e Trashëgimisë Kulturore 2025″, me tematikë: ,,Ritualet, përshkrimi i tyre përmes këngës, dokeve dhe zakoneve”, e organizuar nga Departamenti i Etnologjisë, Historisë së Artit dhe Arkitekturës Popullore pranë Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Kjo konferencë kishte për qëllim trajtimin e ritualeve që ndërlidhen me këngët, doket dhe zakonet. Morën pjesë emra të mirënjohur të fushës së etnokulturës apo të kulturës popullore shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Lugina e Preshevës. Përveç prurjeve shkencore, në konferencë u shtrua ideja për nevojën e organizimit edhe të një konference tjetër me tematikë të njëjtë me qëllim që të thellohen studimet në këtë drejtim.
Konferencën e përshëndeti drejtori Besnik Emini i cili i falënderoi kontribuesit e mirënjohur të etnologjisë e folklorit dhe studiuesit e tjerë si dhe foli për rëndësinë që ka kjo temë për aktualitetin e kulturës shqiptare e cila nën ndikimin e modernizimit po shkon drejt harresës. Po ashtu, fjalë përshëndetëse pati dhe koordinatori Rini Useini i cili tha se qëllimi i kësaj konference është mbledhja e këngëve të ndryshme, në veçanti ato rituale, që janë më të pakta me qëllim që të krijohet një fond më i zgjeruar i fonotekës së Institutit. Ndër tjerash, ai i ftoi studiuesit për bashkëpunime të tjera në fushën e etnologjisë. Në dy sesionet e kësaj konference, me kumtesat e tyre shkencore u paraqitën:
Drita Halimi Statovci: Lindja e foshnjës – doket dhe simbolika;
Edibe Selimi-Osmani: Kulti i bletës ndër shqiptarët në fshatrat e Dervenit të Tetovës;
Leontina Gega-Musa: “Festa e kryemotit” në kohë dhe hapësirë sot (praktika nga terreni);
Mustafa Ibrahimi: Rite dhe rituale shqiptare lidhur me kultin e “kashtës së grurit” në rajonin e Pelagonisë;
Zejna Halimi: Këngët dhe ritet kushtuar stolive dhe veshjes së gruas në Patishka Rekë;
Angjelina Hamza Hasanaj: Rituali i dasmës – hapësirë e gërshetimit të traditës dhe modernitetit;
Bukurije Mustafa: Këngët e thirrjes se bletës Mbretëreshë;
Bekim Ramadani: Vështrim etnomuzikologjik mbi disa këngë rituale të kanagjegjit në traditën shqiptare;
Xhemaledin Salihu: Ritet e dasmës preshevare me rrethinë në kohët e sotme;
Rovena Vata: Ritualet, përshkrimi i dokeve dhe zakoneve përmes vargut poetik: rasti i shkrimtarit Dritëro Agolli;
Rozina Kostani: Ritualet dhe doket arbëreshe në dramën ,,Nita” të Josip Relës;
Minir Ademi, Besim Morina: Rite agroblegtorale të Shëngjergjit në rajonin e Drenicës dhe të Kumanovës;
Yllza Rustemi: Ritet dhe këngët e synetisë tek shqiptarët në rajonin e Tetovës;
Arben Berisha: Fejesa në Malësinë e Gallapit: nga institucioni tradicional i mikut te individualizimi bashkëkohor;
Teuta Agai Demjaha: Ndikimi i globalizimit në ritualet tradicionale shqiptare;
Rini Useini: Fryma animiste në këngët e riteve të Dordolecit;
Zymer Cakolli: Ritet e martesës, (vadës së vajzës – çikës);
Laura Papraniku: Festimi i ditës së verës në qytetin e Dibrës;
Emin Sallahu, Qazim Namani, Xhafer Cakolli: Disa nga traditat në dasmat shqiptare në trevën verilindore të Kosovës.
Konferenca u përmbyll me diskutimet që dolën nga paraqitja e kumtesave.
Përndryshe, kumtesat e paraqitura në këtë konferencë do të botohen në edicionin e veçantë të serisë së botimeve “Scupi” që përmbledh punimet shkencore të tubimeve shkencore të mbajtura në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

 

   

Shikoni gjithashtu

Vizitë në Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo” – Tiranë

Vizitë në Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo” – Tiranë Tiranë, 14 tetor 2025. Gjatë …