ITSHKSH realizoi Konferencën e VIII-të të Ballkanologjisë me temë “Kultura politike në Ballkan” 

18 dhjetor 2025, Shkup – ITSHKSH organizoi me sukses Konferencën e VIII-të të Ballkanologjisë, e cila këtë vit iu kushtua temës “Kultura politike në Ballkan”, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme akademike për analizë dhe debat mbi proceset historike, politike dhe shoqërore që kanë formësuar dhe vazhdojnë të formësojnë rajonin ballkanik.

Konferenca u zhvillua në dy sesione shkencore, në të cilat u prezantuan kumtesa nga studiues të njohur nga rajoni, ndërsa çdoi sesion u përmbyll me debat të hapura akademik, që mundësuan shkëmbim  mendimesh dhe ballafaqim të tezave ndërmjet pjesëmarrësve.

Sesioni i parë u përqendrua kryesisht në politikën e kujtesës, ndërtimin e identitetit politik, proceset shtetformuese dhe modelet e pushtetndarjes në Ballkan, me theks të veçantë në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Studiuesit trajtuan rolin e kujtesës kolektive në formësimin e identiteteve politike, ndikimin e trashëgimisë historike në kulturën politike bashkëkohore, si dhe sfidat e konsolidimit demokratik në shoqëritë post-konfliktuale. Kumtesat analizuan ndër të tjera çështjen e menaxhimit të diversitetit etnik dhe pushtetndarjes si mekanizma stabiliteti apo fragmentimi politik në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zhvillimeve politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve ’90, si dhe vazhdimësisë politike si parakusht për suksesin shoqëror dhe institucional.

Sesioni i dytë u fokusua në mobilizimin qytetar, rolin e diasporës, globalizimin, median, arsimin dhe barazinë gjinore, si elemente thelbësore të kulturës politike bashkëkohore në Ballkan. Kumtesat sollën analiza mbi format e reja të pjesëmarrjes politike dhe aktivizmit qytetar, ndërsa një hapësirë e rëndësishme iu kushtua edhe diskursit politik dhe mediatik, ndikimit të tij në opinionin publik, arsimin dhe zhvillimin shoqëror, si dhe rolit të medias tradicionale dhe rrjeteve sociale në formësimin e kulturës demokratike. Po ashtu, u trajtua në mënyrë kritike pozita e grave në politikë, gjuha patriarkale në diskursin publik dhe nevoja për një kulturë politike gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Më poshtë gjeni programin e plotë të konferencës.

Në përmbyllje, organizatorët njoftojnë se të gjitha punimet shkencore të prezantuara në Konferencën e VIII-të të Ballkanologjisë do të botohen në plotësinë e tyre në numrin e ardhshëm të Revistës së re të Ballkanologjisë, duke kontribuar në mënyrë të qëndrueshme në pasurimin e debatit akademik dhe studimeve bashkëkohore mbi Ballkanin.

Shikoni gjithashtu

117 vite pas botimit ekspozohen botime dhe materiale origjinale në gjuhën shqipe

Shkup, 21 nëntor 2025. Në kuadër të Akademisë solemne kushtuar Kongresit të Manastirit dhe përvjetorit …