27 nëntor 2025. Sot drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Prof. Dr. Besnik Emini, mori pjesë në hapjen e ekspozitës historike “Ja të vdesim, ja të rrojmë / është e jona Shqipëria”.
Në këtë ekspozitë të veçantë, e cila sjell një rikthim emocional në kohët e përpjekjeve për liri, pas dhjetëra dekadash rikthehen bashkë figurat e luftëtarëve që sollën pavarësinë e Shqipërisë. Përmes fotografive të tyre, armëve të përdorura në beteja dhe jehonës së ngjarjeve të përshkruara në shtypin e kohës, vizitorët përjetojnë nga afër atmosferën e kryengritjeve dhe idealit të pamposhtur për liri.
Në ekspozitë janë paraqitur modele të rralla armësh historike nga koleksioni i muzeut të periudhave dhe prodhimeve të ndryshme të përdorura nga figura të njohura historike si Çerçiz Topulli, Izet Zavalani, Mendu Zavalani, Tajar Tetova, Dedë Gjo Luli, Isa Boletini, Gani Butka, Themistokli Gërmenji dhe shumë të tjerë. Këta burra, që sakrifikuan jetën e tyre për liri, jo vetëm si luftëtarë por si prijës, vijnë sot si dëshmi e gjallë e rrugës së vështirë drejt pavarësisë.
Ekspozita është realizuar nga Muzeu i Forcave të Armatosura në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, e cila synon të mbetet gjatë në kujtesën e publikut si një pikëtakim me heronjtë dhe figurat e lavdishme të historisë sonë kombëtare.
Prof. Dr. Besnik Emini u shpreh se kjo ekspozitë përbën një kontribut të çmuar për kujtesën historike shqiptare dhe një homazh të denjë për brezat që flijuan gjithçka për idealin e lirisë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ministri i mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë Pirro Vengu, Drejtori i Muzeut të Forcave të Admatosura Niko Kotherja dhe zëvendës drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë Majlinda Toçi.

ITSH Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup