Kumanovë, tetor 2025 – Me fillimin e muajit tetor filloi edhe puna në terren e hulumtuesve shkencorë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për realizimin e projektit “Mbledhja dhe hulumtimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të zonës së Kumanovës me rrethinë dhe krijimi i Platformës Elektronike të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në RMV”.
Në javën e parë të këtij muaji, grupet e studiuesve nga Departamenti i Gjuhës Shqipe, filluan eksplorimin në terrenin e Komunës së Likovës, konkretisht në fshatin Llojan, ku zhvilluan disa intervista interesante me respondentë të përzgjedhur lidhur me tiparet gjuhësore të fshatit, ndryshimet fonetike, sfondin dialektologjik, toponiminë e të tjera. Po ashtu edhe studiuesit e Departamentit të Historisë dhe ata të Etnologjisë mblodhën rrëfime nga historia e pasur gojore e Llojanit, një fshat kufitar i rajonit të Kumanovës, i cili për shkak të pozitës së tij gjeografike, ka pasur zhvillime mjaft turbulente në të gjitha periudhat historike.
Gjatë javës së dytë të tetorit, hulumtuesit e ITShKSh-së qëndruan në fshatin e afërt Vaksincë, ku po ashtu u kthyen me mbresa shumë pozitive nga puna studimore në terren, duke zhvilluar intervista të frytshme kryesisht me gra dhe burra të moshuar, të cilët po mundohen të përcjellin te brezat e rinj trashëgiminë e pasur kulturore të kësaj treve shqiptare.
Paraprakisht, grupi i studiuesve të degës së Folklorit dhe Etnologjisë, kanë qëndruar në fshatin malor Gushincë, ku disa familje qëndrojnë vetëm gjatë stinës së verës. Për hulumtuesit tanë ishte me interes të kuptojnë jetën në atë fshat dhe kishin rastin të shohin shtëpi shumë të vjetra që ndodheshin në fazën e para rrënimit.
Gjatë javëve dhe muajve në vijim, do të vizitohen të gjitha vendbanimet shqiptare të zonës së Kumanovës, dhe do të bisedohet me respondentë adekuatë, të cilët do të rrëfejnë për të kaluarën e kësaj popullate nëpër kohë të vështira mbijetese.
Projekti “Mbledhja dhe hulumtimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të zonës së Kumanovës me rrethinë dhe krijimi i Platformës Elektronike të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në RMV”, i mbështetur nga MASh, synon hulumtimin, studimin, dokumentimin dhe digjitalizimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të zonës së gjerë të Kumanovës.
Gjatë të gjitha takimeve nëpër këto vendbanime shqiptare, studiuesit e Institutit janë pritur jashtëzakonisht mirë nga ana e popullatës lokale, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre të plotë për të ndihmuar në këtë projekt, për çka u jemi shumë falënderues!