????????????????????????????????????

Xhevat Lloshi solli veprën monumentale kushtuar Gjergj Qiriazit

Shkup, 19.11.2019 – Manifestimi kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”, nën organizimin e ITSHKSH-Shkup, dhe me mbështetjen e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, sot e vazhdoi aktivitetin e pestë me radhë, për nderë të festës së shkronjave.

Familja e shquar rilindëse e Qiriazëve të Manastirit, e ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të ndryshëm, dhe për ta janë botuar shkrime e punime të shumta. Sidomos për Gjerasimin dhe Sevastinë, kemi libra të veçantë, ndërsa deri më tani ka munguar një punim serioz shkencor kushtuar Gjergjit. E këtë boshllëk, në mënyrën më të mirë të mundshme, e ka plotësuar me punën e tij studimore disavjeçare, profesori i nderuar Xhevat Lloshi.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante, solli para publikut të gjerë librin dyvëllimësh monumental të autorit Xhevat Lloshi, me titull: “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit”. Pra, ky libër vjen edhe si një dedikim për 111-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit.

Në fillim të aktivitetit, para mysafirëve të shumë nga Kosova e Shqipëria, folën drejtori i ITSHKSH-Shkup, Skender Asani dhe personi përgjegjës i veprimtarisë botuese të Institutit, Sevdail Demiri.

Drejtori Asani tha se familja Qiriazi është ndër më meritoret që sot shqiptarët kanë gjuhë të unifikuar dhe orientim properëndimor. Ai me këtë rast njoftoi se Instituti sot ka marrë vendime të rëndësishme për hapjen e qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore, në mesin e të cilave është edhe Qendra “Qiriazët” në Manastir.

Në vazhdim, pikëpamjet e tyre rreth këtyre dy vëllimeve kushtuar Gjergj Qiriazit në Kongresin e Manastirit, i paraqitën njohësit e mirëfilltë të kësaj vepre: si Xhon Kuanrud, studiues amerikan, njohës i mirë i historisë e kulturës shqiptare, dhe autor i disa punimeve e librave shkencore kushtuar Qiriazëve të Manastirit, albanologu David Hosaflook – drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Teuta Toska – hulumtuese në fushën e etnolinguistikës dhe filozofisë së gjuhës, si dhe në fushën e historiografisë  së krishterimit në Shqipëri, pedagoge në Universitetin e Elbasanit, si dh Femi Cakolli – kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës.

Në fund, fjala ishte për autorin Xhevat Lloshi, i cili duke falënderuar dy institutet për botimin e veprave të tij, tha se përmes kësaj monografie dyvëllimëshe, ka dashur që në mënyrë sa më objektive dhe në dritën e dokumenteve, ta ndriçojë figurën e Gjergj Qiriazit, i cili ka qenë shtyllë e Kongresit të Manastirit, por fatkeqësisht i pahulumtuar mjaftueshëm deri më tani.

“Ditët e Alfabetit” nesër vazhdojnë në Manastir, ku do të mbahet Akademia shkencore kushtuar 111-vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Shikoni gjithashtu

SHKENCA DHE KULTURA, NIVELET MË SUPREME TË VETËDIJES SË NJË SHOQËRIE

Nga Prof.dr. Skender ASANI   Prezantimi i punës kërkimoro-shkencore dhe botuese të Institutit tonë gjatë …