Vjen në shqip “Legjislacioni bazik antisemitik në Mbretërinë e Bullgarisë”

Shkup, 30 tetor 2020 – Libri “Legjislacioni bazik antisemtik në Mbretërinë e Bullgarisë” , i cili tani po vjen në version shqip, ishte botuar vitin e kaluar në gjuhën maqedonase nga ana e ITSHKSH në Shkup. Ndërkohë po përgatitet edhe version anglisht, kështu që kjo vepër kapitale do të gjejë një shtrirje të gjerë shumëgjuhëshe, duke nxitur kurreshtjen observuese të historianëve, studiuesve dhe hulumtuesve të ndryshëm mbi një dimension të errët të Luftës së Dytë Botërore.

Materia e këtij libri, ashtu siç e kanë ideuar dhe konceptuar autorët Dr.Vllado Popovski, Dr. Skender Asani dhe Dr. Nora Maliqi, nxjerr në dritë zbërthimin e doktrinës shtetërore bullgare, me proviniencë fashiste, ndaj çështjes hebreje. Libri ka peshën e padiskutueshme të dëshmisë historike-shkencore, përmes dokumenteve autentike, mbi një politikë të planifikuar dhe mirë të organizuar naziste kundër popullatës hebreje brenda territorit që kontrollohej nga administrata fashiste bullgare, përfshi edhe një pjesë të Maqedonisë së sotme.

“Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare”, që tani vjen edhe në gjuhën shqipe, është vepër e parë e këtij karakteri në rajonin tonë. Përpos rëndësisë eksplicite studimore nga fusha e legjislacionit, kjo vepër nxjerr në pah edhe një rëndësi tjetër që lidhet me objektivat e ITSHKSH-së në zhvillimin e mëtejmë të Departamentit për Studimin dhe Edukimin e Holokaustit”, vlerëson drejtori i ITSHKSH, Dr. Skënder Asani.

Duke folur për rëndësinë e këtij libri, që tash e tutje do të komunikojë edhe me opinionin publik shqiptar, Dr. Skender Asani vuri në dukje se libri në fjalë ,i pajisur me dokumente dhe burime të vlefshme arkivore, sjell për herë të parë tek lexuesi i këtushëm arkitekturën e një sistemi antisemitist, siç ishte Mbretëria Bullgare, e cila duke qenë besnike e verbër e politikës hitleriane, kishte ngritur në nivel legjislacioni gjithë infrastrukturën ligjore për zgjidhjen përfundimtare të çështjes herreje.

Dalja në dritë e versionit shqip të librit “Legjislacioni bazik antisemitik në Mbretërinë e Bullgarisë”, përkon edhe me një ngjarje mjaft të rëndësishme që u organizua të mërkurën në Tiranë. Shqipëria ishte mikpritëse e FORUMIT BALLKANIK KUNDËR ANTISEMITIZMIT, ku ishte i ftuar, përpos Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili foli mbi fushëveprimin e ITSHKSH në problematikën e Holokastit.

“Departamenti i Edukimit dhe Hulumtimit të Holokaustit, në kuadër të ITSHKSH, është në fakt i pari i këtij lloji në shtet dhe në rajon, që për ne paraqet krenari dhe kënaqësi. Krahas trajnimeve për arsimtarë dhe edukatorë në bashkëpunim me Jad Vashem nga Izraeli, Departamenti e përpilon edhe Strategjinë për edukimin mbi holokaustin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kontributin e ekspertëve, edukatorëve dhe institucione botërore me renome të cilat e trajtojnë këtë tematikë”, nënvizoi Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, në debatin e organizuar on line në kuadër të FORUMIT BALLKANIK KUNDËR ANTISEMITIZMIT.

Libri “Legjislacioni bazik antisemitik në Mbretërinë e Bullgarisë”, duke qenë pjesë e Strategjisë për edukimin mbi holokaustin, e bën Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup një adresë mjaft kredibile të trajtimit të temave me peshë, jo vetëm të karakterit të ngushtë nacional, por edhe ato me përmasa globale.

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …