Shkup, 29.09.2021 – Hulumtuesja shkencore e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Valdeta Kasapi mori titullin doktore e shkencave të komunikologjisë. Ajo mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me temë “Përdorimi i gjuhës në televizionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut – në kontekst të proceseve demokratike në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut (analiza krahasimtare e televizioneve në gjuhën maqedonase dhe shqipe nga viti 200 deri në vitin 2018).
Kasapi, disertacionin e saj e mbrojti para Komisionit në përbërje Prof. dr. Vllado Popovski (mentor- Fakulteti Juridik- Shkup), Prof. dr. Dona Kollar – Panov (profesore e komunikimit), Prof. dr. Irena Rajçinovska – Pandeva (profesore e shkencave politike-Fakulteti Juridik- Shkup), Prof. dr. Sefer Tahiri (këshilltar shkencor – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup) dhe Prof. dr. Jasna Baçevska (profesore e Fakultetit Juridik- Shkup).
Komisioni vlerësoi se punimi i doktoraturës është me vlerë të madhe shkencore dhe ka rëndësi të madhe shoqërore, pasi trajton një temë e cila drejtpërdrejt është e lidhur me ndërtimin e shoqërisë shumë -kulturore dhe ndër -kulturore në Maqedoninë e Veriut.
Komisioni dhe mentori vlerësuan se doktoratura e Kasapit është tekst i gjallë. Në të ajo krijon relacione me autorë profesional dhe shkencor të fushës, por edhe me publikime shkencore. “Ajo rezonon, asocon, analizon, e shfaq mendimin e saj, jep vlerësime, por edhe konstatime dhe gjykime për qëndrime të personaliteteve të njohura të shkencës. Punimi i saj mund të zgjojë jo vetëm interes, por është edhe provokues, por në asnjë moment nuk është i mërzitshëm. Karakteri i punimit të Kasapit nxit dhe mobilizon intelektualisht, teorikisht, profesionalisht, por edhe në aspektin veprues dhe praktik. Ky punim është origjinal dhe si i tillë do të zgjojë shumë diskutime dhe polemika”.
Valdeta Kasapi nga viti 2018 është asistente – hulumtuese në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.