UNESCO përmes faqes së saj zyrtare ka njoftuar për shënimin e 50-vjetorit të vdekjes së Parashqevi Qiriazit më 17 dhjetor 2020. Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara, jep një kronologji të jetës dhe veprës së Parashqevisë, duke e cilësuar atë si “një nga figurat kryesore të Iluminizmit Shqiptar të fundshekullit 19 dhe fillimit të shekujve 20”.
Pasi që jepen detaje biografike mbi Parashqevi Qiriazin, duke saktësuar Manastirin si qytetin e saj të lindjes (2 qershor 1880), UNESCO e cilëson atë si “pioniere në edukimin dhe emancipimin e grave në Perandorinë Osmane”, teksa e krahason atë me arritjet e Marianne Hainisch në Austri, Annestine Beyer në Danimarkë ose Maria Montessori në Itali.
Ky shënim mjaft i rëndësishëm i UNESCO-s vjen, në njërën anë, pasi kishte ndodhur “grabitja” e disa gjurmëve të traditës iliro-shqiptare, siç është lahuta, apo qeni i Sharrit, i quajtur ndryshe edhe “Deltari ilir”, por në anën tjetër, përkon me angazhimet e ITSHKSH-së kushtuar figurës emblematike të iluminizmit shqiptar, Parashqevi Qiriazi, e cila ishte hallka më e denjë që lidhi epokën e Rilindjes Kombëtare me përpjekjet independente, deri në Konferencën e Versajës (1919), ku ajo jo vetëm që ishte pjesëmarrëse e zhvillimeve dramatike, por ishte edhe një kroniste pedante mbi ditët e bujshme të kësaj Konference të cilat ditë më parë u botuan në formë të ditarit nga e ITSHKSH-Shkup.
Ka qenë pikërisht Parshqevi Qiriazi edhe lajtmotivi i manifestimit të sivjetshëm “Ditët e Alfabetit”, kushtuar rolit të gruas shqiptare në emancipimin dhe iluminimin e shoqërisë në periudha të ndryshme kohore.
Bashkëngjitur me këto aktivitete, ITSHKSH në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Institutin e Studimeve Shqiptare dhe Protestante në Tiranë, përgatitën një dokumentar mbi jetën dhe veprën e Parashqevi Qiriazit, i cili pritet të promovohet më 17 dhjetor të këtij viti në UNESCO dhe në disa qendra të njohura të botës, përfshirë edhe Prishtinën.
Për të plotësuar njohuritë e munguara të një opinioni më të gjerë ndërkombëtar, UNESCO në vijim jep edhe disa episode mjaft të rëndësishme nga veprimtaria e kësaj iluministeje shqiptare.
“Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e parë që shkroi një libër shkollor në gjuhën shqipe dhe e vetmja grua që mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i cili kodifikoi alfabetin shqip në nëntor 1908. Mbajtës i dy diplomave (Robert College në Stamboll dhe Oberlin College në Ohio-USA), ajo mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris në 1919. Ekziston një listë e gjatë e roleve të jashtëzakonshme që Parashqevi Qiriazi luajti në skenën e arsimit të grave dhe më gjerë, në lëvizjen kombëtare shqiptare për pavarësi nga Perandoria Osmane”, shkruan UNESCO në faqen e saj zyrtare, duke e përmbyllur me një konstatim mjaft kuptimplotë:
“Asgjë nuk mund ta minonte vendosmërinë e saj, as kushtet e vështira të punës, as presionet politike, dy luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore, madje as momentet e vështira të kaluara në një kamp përqendrimi, ku ajo u dëbua në 1943 me motrën e saj Sevasti dhe anëtarët e tjerë të saj të familjes, si rezultat i veprimtarisë së tyre antifashiste”, shkruan UNESCO, me ç’rast e përmend edhe kontributin e ITSHKSH-së në Shkup në ndriçimin e jetës dhe veprës së Parashqevi Qiriazit përmes veprës me dokumente “Ditari i Parashqevi Qiriazit”, që cili u botua kohë më parë.
Më poshtë mund ta gjeni edhe postimin e plotë (linkun) të publikuar nga UNESCO për Parashqevinë:
ttps://en.unesco.org/news/parashqevi-qiriazi-morning-star-womens-emancipation