Nga Prof.dr. Skender ASANI
Sot në Shkupin tone po ndodhin dy ngjarje paralele: në njërën anë po përurojmë një rrugë, dhe po shpalosim një ekspozitë, kurse në anën tjetër po ndezim një kandil për të ndriçuar këtë rrugë që asnjëherë të mos mbetet në errësirë emri dhe vepra e Ukshin Hotit. Për neve si shkupjan është nder , por edhe detyrim që pikërisht nga kryeqendra e dikurshme e Dardanisë të ndërgjegjësojmë publikun mbi rëndësinë e kësaj figure të shquar të kombit tone, i cili edhe me mosprezencën e tij fizike vazhdon të na frymëzojë me vizionin e tij politik e intelektual.
Ukshin Hoti lindi për të qenë një trung i rrallë në pyllnajën e dendur të proceseve politike e shoqërore, dhe mbeti i papërkulur ndaj furtunave që solli koha. Ai pastaj u bë një lis shumë i lartë dhe vetëm ata që kanë fatin të ngjiten mbi këtë lis do të mund të shohin të ardhmen me sytë vizionarë të Ukshin Hotit. Një mision ky shumë i vështirë, por jo edhe i pamundur…
Ai mbetet personifikim i intelektualit që përfshirjen në politikë nuk e sheh si privilegj, por si detyrim dhe pikërisht ky detyrim atë e bëri të veçant në konceptimin e politikës. Ai mbetet i veçantë edhe me refuzimin për t’u marrë me politikë ashtu siç ia imponin të tjerët, sepse siç thoshte ai “inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë”.
Për Ukshin Hotin ende nuk është dhënë vlerësimi i kompletuar, ashtu siç e meriton vepra dhe angazhimi tij, andaj për të kompenzuar këtë boshllëk ne sot në Shkup po e kujtojmë këtë kolos të mendimit politik shqiptar, duke e memoruar emrin e tij në një adresë të re që do të jetë pjesë e përditshme e komunkimit të shkupjanëve.
Duke mos pretenduar se ky është maksimumi që po bëjmë për Ukshin Hotin, shpresojmë që në të ardhmen qendrat tona studimore në Shkup, Prishtinë e Tiranë do të përqëndrojnë një vëmendje më të madhe ndaj kësaj figure, sepse ai meriton të jetë një prej referencave kryesore të mendimit filozofik-politik shqiptar. Dhe me të drejtë studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo teksa fliste për Ukshin Hotin nuk hezitonte të jepte edhe këtë vlerësim për të : “për çdo intelektual shqiptar, të veshur me këmisha ceremoniale të konferencave të shtypit, të masmedias, të mjediseve moderne të aeroporteve dhe të hoteleve luksoze, imazhi i këtij të burgosuri i shpallur i zhdukur është një thirrje për ballafaqim moral dhe shpirtëror. Ai nuk u përpoq ta mundë historinë, por u bë viktimë e saj dhe mbeti përjetësisht në histori”.
Ukshin Hoti prej sot po bëhet pjesë e një historie që ne po e shkruajmë duke vendosur gjurmë në jetën tonë të përdisthme, e cila nesër do të mësohet si udhërrëfim se nga duhet të lëvizin proceset brendashqiptare. Ky është edhe shtrati nga do të lëvizim edhe ne si shoqëri, por edhe si ITSHKSH, sepse duke rikthyer gjurmët e së kaluarës ne me dinjitet do të projektojmë rrugët e së ardhmes, të cilat nesër do të mbajnë emrat e pasardhësve të Ukshin Hotit.
Shkup, 19 maj 2022