U promovua libri i Vaso Pashës “E vërteta për Shqipninë dhe shqiptarët”

Sot në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me Institutin për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, u organizua promovimi i veprës “E vërteta për Shqipninë dhe shqiptarët” nga Pashko Vasa ose, siç
qëndron në kopertinën e librit, Vassa Efendi.
Promovimin e hapi prof. dr. Milaim Fetai nga Instituti për Studime Politike dhe
Ndërkombëtare, i cili pasi ia dha fjalën drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Dr. Skender Asanit, u dha fjalë promotorëve të veprës: prof. dr. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Ali Pajaziti dhe prof. dr. Zeqirija Ibrahimi. Konstatimi i përgjithshëm ishte se ky libër është botimi më i plotë i kësaj vepre në gjuhën shqipe dhe është një botim shumë i rëndësishëm për ta plotësuar historinë dhe kulturën shqiptare dhe, madje,
shqiptarizmin, si ideologji e kombformimit.
Pas tyre të pranishmit i përshëndeti edhe botuesi i librit, drejtori i Fondacionit “Alsar” nga Tirana, Mehdi Gurra, i cili i falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit në promovim, duke i
theksuar edhe arsyet e botimit të kësaj vepre, si dhe të botimeve të tjera nga “Alsar”.
Në fund drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, prof. dr. Ylber Sela, u ndau mirënjohje botuesit, Mehdi Gurra, si dhe profesorëve Pëllumb Xhufi dhe Ali Pajaziti.

Shikoni gjithashtu

SHKENCA DHE KULTURA, NIVELET MË SUPREME TË VETËDIJES SË NJË SHOQËRIE

Nga Prof.dr. Skender ASANI   Prezantimi i punës kërkimoro-shkencore dhe botuese të Institutit tonë gjatë …