U nda nga jeta prof. dr. Naim Halimi!

Shkup, 15.09.2021 – Sot në moshën 66-vjeçare, u nda nga jeta prof. dr. Naim Halimi, nga fshati Shtrazë i Kumanovës, doktor i shkencave historike, këshilltar shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Naim Halimi dha një kontribut të çmuar në edukimin e gjeneratave të tëra në frymën kombëtare. Pas mbarimit të Fakultetit Filozofik – dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës, punën në arsim e filloi si profesor i historisë në Gjimnazin e Kumanovës (1982-1983). Një kohë të gjatë punoi në Shkollën fillore “Vëllazërimi” (më vonë “Naim Frashëri”) në Kumanovë (1984-1997). Pas mbarimit të studimeve të doktoratës në Institutin e Historisë në Tiranë, u angazhua ligjërues i disa lëndëve të fushës së historisë në Universitetin e Tetovës (1997-2008). Një mandat ishte edhe prorektor i Universitetit të Tetovës, në kohën më të vështirë, para se ai të legalizohej. Së fundi u angazhua si profesor edhe në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup (2018-2021).

Nga viti 2009 u punësua në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku dha një kontribut të madh nëpër aktivitete të ndryshme hulumtuese – shkencore.

Naim Halimi është autor i botimeve shkencore, si: “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trevën e Karadakut (1908-1912)”, Kumanovë, 2001; “Studime historike dhe etnologjike në trojet tona etnike”, ITSHKSH, Shkup, 2017, dhe “Thesare kulturore dhe natyrore të trevës së Kumanovës”, në bashkautorësi me Sevdail Demirin, ITSHKSH, Shkup, 2019.

Në dorëshkrim i kishte edhe disa vepra të rëndësishme të historiografisë, si: “Historia e popullsisë së Kumanovës (1600-2000) – disa personalitete të shquara shqiptare”; “Shpërnguljet e shqiptarëve nga Kumanova – shkaqet dhe pasojat”, “Shqiptarët e Maqedonisë në vitet e demokracisë”, etj.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të prof.dr.Naim Halimit.

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …