U mbajt konferenca “Kënga folklorike – vlerë e trashëgimisë kulturore”

Shkup, 6.5.2021 – Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup u mbajt konferenca shkencore me temën boshte “Kënga folklorike – vlerë e trashëgimisë kulturore” në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Java e Trashëgimisë Kulturore”. Në këtë konferencë morën pjesë studiues nga hapësira të ndryshme gjeografike shqiptare dhe studiues nga ITSHKSH, Universiteti i Tetovës dhe institucione të tjera të rëndësishme.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “Qëllimi i kësaj konference është ruajtja, mbrojtja, kultivimi, por edhe promovimi dhe afirmimi i vlerave muzikore, sidomos folklorit shqiptar në kohën kur përballet me armikun më të madh për asimilim, që është globalizimi, e jo shtetet fqinje”. Asani u shpreh se në kuadër të Departamentit të Folklorit dhe Etnologjisë do të ketë prurje të reja nga fusha e etnomuzikologjisë, të cilët do të mund të mbledhin materialin folklorik në krahina të ndryshme dhe i cili më pas do të interpretohet dhe analizohet nga studiuesit e fushës.

Pas fjalëve të drejtorit filloi sesioni shkencor, të cilën e drejtoi Sefer Tahiri, i cili është njëkohësisht edhe koordinator i kësaj konference shkencore.

Studiuesja nga Universiteti i Tetovës, Besiana Mehmeti, në punimin e saj analizoi këngët autentike të cilët në një farë mënyre arkivojnë të kaluarën historike të popullit shqiptar në përgjithësi por dhe rajoneve të caktuara në veçanti. Ajo u fokusua edhe tek kontributi e heronjëve historik për të cilët jehon kënga. Pasoi Ragip Gjoshi nga Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, i cili nëpërmjet të punimit të tij pasqyroi këngët historike si dhe këngëtarët të cilët e përçuan këtë porosi nga të parët për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar nëpërmjet kushtrimit të këngëve. Etnologu nga ITSHKSH, Rini Useini përshkroi disa këngë, të cilët e veçojnë individin apo familjen dhe statusine e saj ekonomik gjatë ceremonialit të dasmës, nëpërmjet këngëve të dasmës, të cilët përmbajnë ironi, sarkazëm apo metafora, por dhe hiperbollizime. Më pas Krenar Doli nga Instituti Albanologjik i Prishtinës foli për disa këngë rituale në trevën  e Gjakovës. Jesir Hoxha nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë nëpërmjet qasjes analitike dhe teorike i përshkroi këngët e rajonit të Dërvenit, kurse Bekim Ramadani nga Universiteti i Tetovës, i vuri në dukje këngët, të cilët pasqyrojnë veprimtarinë e SHKA Xheladin Zeqiri nga Tetova. Shkëlzen Baftjari, profesor i pianos u paraqit me temën ”Folklori në veprat pianistike të kompozitorëve shqiptarë’’, punim i përgatitur në bashkëpunim me Besiana Mehmedin. Agona Çupi, poashtu nga Universiteti i Tetovës u paraqit me temën ”Ndikimi i muzikës folklorike në veprat korale të Lorenc Antonit”. Arijana Kuriu Grubi prezantoi punimin me temë “Muzika shkodrane në fund të shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX”. Ndërsa Besnik Rahmeti nga ITSHKSH me temën “Analiza e këngëve popullore dhe lirike në veprat dhe hulumtimet e Dr.Ibrahim Krosit”.

Në fund Ardian Ramadani nga ITSHKSH bëri një krahasim ndërmjet folklorit francez dhe shqiptar me temën “Këngët dhe vallet e rajonit të Bretanjës në Francë dhe krahasimi i tyre me këngët shqipe”.

Punimet e prezantuara shkencore do të botohen në numrin e rradhës të revistës shkencore “SCUPI”.

Shikoni gjithashtu

QASJA INSTITUCIONALE DHE SHKENCORE NDAJ FIGURËS SË NËNËS TEREZE

Nga Prof. dr. Skender ASANI Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike …