U inaugurua Qendra Përkujtimore “Bllacë ‘99”

Bllacë, 10 prill 2019 – Në prani të shumë zyrtarëve më të lartë politikë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë, sot në zonën ndërkufitare në Bllacë, në pjesën kosovare, u inaugurua Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë ‘99”. Me këtë rast u vu gurthemeli i Qendrës dhe u promovua treni me mbishkrimin “Përjetësisht në memorjen shqiptare”, që është simbol tragjedisë së shqiptarëve të Kosovës, që erdhën me atë tren në kufirin e Bllacës.

Në këtë ngjarje fjalë rasti patën kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta nga Prishtina dhe njëherazi këshilltar i Kryeministrit kosovar, Jahja Lluka, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi, Dr. Skender Asani, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Bashkimit Demokratik nga Maqedonia, Ali Ahmeti, dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Gjatë kësaj ceremonie, drejtori i Institutit Asani theksoi: “Sot ne nuk po vendosim vetëm një gurthemel të një qendre përkujtimore, madje as treni që sot e kemi këtu si shenjë kujtimi për një të kaluar të hidhur nuk është i mjaftueshëm për ta përkapur krejt përkushtimin dhe synimin tonë. Në të vërtetë, ne sot këtu po vendosim të ngremë një qendër që do ta konservojë, ruajë, mbrojë dhe kultivojë krejt kujtesën historike të shumë gjeneratave shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli. Vërtet të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, sepse kjo është përtej fuqisë sonë, por atë mund ta përkujtojmë çdo ditë, që të marrim mësim prej saj dhe të mos lejojmë që ajo të na përsëritet”, përfundoi ai.

Shikoni gjithashtu

Ekspozita që ndriçon sakrificat për alfabetin dhe identitetin kombëtar shqiptar

Prof. dr. Skender Asani   Ekspozita me temë “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip …