Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Prof. Giovanni Belluscio

Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Giovanni Belluscio, studiues i fonetikës, fonologjisë e dialektologjisë shqiptare. Beluscio u nda nga kjo botë në moshën 58-vjeçare, ndërsa punoi profesor në Universitetin e Kalabrisë në Kozencë, në të cilin studiojnë arbëreshët e Italisë.

Prof. Belluscio ishte edhe bashkëpunëtor i afërt i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Përveç pjesëmarrjes aktive në konferencën shkencore ndërkombëtare të Ballkanologjisë, të organizuar nga Instituti nga viti 2018, ai ishte edhe anëtar i Këshillit Shkencor Ndërkombëtar të revistës shkencore të ITSHKSH-së “Studime albanologjike”.

Giovanni Mario Giacomo Belluscio ka lindur në fshatin arbëresh Shën Vasil (Kalabri) më 25 gusht 1961. Shkollimin fillor e ka mbaruar në fshat, ndërsa shkollimin e mesëm në Castrovillari. Është diplomuar në Universitetin e Kalabrisë, ku edhe është doktoruar në vitin 1993. Në komunitetin albanologjik njihej me emrin Gianni.

Prof. Belluscio ka qenë mjeshtër i fonetikës eksperimentale dhe ka realizuar një sërë punimesh me vlerë për fonetikën e shqipes. Si mjeshtër i punës studimore në terren, kërkimet e tij i ka përqendruar në studimet dialektore, veçanërisht të arbëreshëve të Italisë, në fonetikën eksperimentale të zbatuar mbi shqipen dhe të folmet arbëreshe, por edhe në leksikologji dhe leksikografinë e shqipes, si edhe në sociolinguistikë e analizë teksti lidhur me konkordancat elektronike të teksteve letrare shqipe. Ka shkruar, mes tjerash, edhe për realizimet fonetike të folësve në radiot e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në kuadër të studimeve të tij në terren ka zhvilluar ekspedita gjuhësore në pjesën veriore të Shqipërisë. Kumtesa e tij e fundit për albanologjinë është mbajtur në dhjetorin e vitit të shkuar në Universitetin e Humbolldit në Berlin.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, duke ndjerë humbjen e një miku të madh dhe të një bashkëpunëtori të rëndësishëm, shpreh ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes Belluscio, ndërsa me këtë rast u shpreh ngushëllime edhe miqve e kolegëve të tij, si dhe gjithë komunitetit akademik që e ka njohur emrin e tij.

Shikoni gjithashtu

SHKENCA DHE KULTURA, NIVELET MË SUPREME TË VETËDIJES SË NJË SHOQËRIE

Nga Prof.dr. Skender ASANI   Prezantimi i punës kërkimoro-shkencore dhe botuese të Institutit tonë gjatë …