Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni i studiuesve të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i udhëhequr nga drejtori Dr. Skender Asani, dhe i shoqëruar nga përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame, Dr. Mumin Omerov, ishin në vizitë edhe në Drejtorinë e Arkivave Shtetërore. Aty u pritën nga Prof. Dr. Uğur Ünal.
Gjatë takimit, drejtori Asani e njoftoi nikoqirin për arsyen e vizitës në Ankara dhe vullnetin e mirë që ITSHKSH-ja të bashkëpunojë me institucionet shkencore, arsimore e arkivore të Republikës së Turqisë, me qëllim që të zbardhet e vërteta shkencore për të kaluarën historike të Ballkanit në Perandorinë Osmane. Me këtë rast, drejtori Asani veçmas foli për Departamentin e Marrëdhënieve Shqiptaro-Osmane, që është hapur në Institut, si dhe për rëndësinë që ka ky departament për njohjen e të kaluarës dhe relacioneve historike, politike, kulturore e sociale gjatë periudhës osmane.
Drejtori i Arkivave Shtetërore, Prof. Dr. Uğur Ünal, theksoi se institucioni që ai drejton është në shërbim të plotë që të ndihmojë me fondin arkivor, por edhe me gjithë potencialin kadrovik dhe përvojën e tij, që ta ndihmojë punën kërkimore të Institutit.
Përveç mundësisë së hulumtimeve shkencore, në takim u konkludua se ITSHKSH dhe Drejtoria Shtetërore e Arkivave të Turqisë së shpejti të lidhin një bashkëpunim formal, me të cilin do ta thellojnë dhe avancojnë bashkëpunimin mes tyre.
Në takim ishin të pranishëm edhe Dr. Murtezan Idrizi, Dr. Sevdail Demiri, Dr. Sefer Tahiri dhe Dr. Zeqirija Ibrahimi.