Shkup, 20.08.2022 – Gjatë javës së kaluar, ekipi i hulumtuesve të ITShKSh-së i drejtuar nga Skender Asani, si dhe studiuesit Sevdail Demiri e Besnik Rameti, qëndruan në Zagreb të Kroacisë, konkretisht në Arkivin Shtetëror Kroat. Drejtori i këtij arkivi, Dinko Çutura, sikurse edhe stafi profesional, që në ditën e parë u treguan shumë të hapur dhe bashkëpunues, duke u mundësuar studiuesve të gjurmojnë me mijëra dokumente shumë të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me të kaluarën e shqiptarëve. Hulumtimi po realizohet në kuadër të projektit madhor për të shkruar historinë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sikurse edhe projekti që ka të bëjë me zhvillimet kulturore e historike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut gjatë shekullit XIX-XX.
Gjatë qëndrimit të ekipit të studiuesve në Zagreb, logjistikë kryesore ishte ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kroaci, Milaim Fetai. Bashkë me ambasadorin, studiuesit patën fatin të njohin nga afër edhe një pjesë të komunitetit të atjeshëm shqiptarë, punëtorë të vyeshëm, biznesmenë, politikanë, mjekë e artistë, të cilët po krijojnë ura bashkëpunimi në mes shqiptarëve dhe kroatëve.
Për këtë, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, e falënderoi ambasadorin Fetai për mbështetjen, sikurse edhe drejtorin Çutura, për mundësinë e dhënë që të zbardhet një pjesë shumë e rëndësishme e historisë kombëtare shqiptare, e cila në formën më të mirë të mundshme, është ruajtur si një thesar i çmuar në Arkivin Shtetëror Kroat.