Me rastin e nderimit me mirënjohje
Nga Dr. Skender Asani
Para plot 115 viteve, konkretisht më 1905 në Stubëll të Epërme u hap shkolla e parë shqipe nga mësuesi Dom Mikeli Tarabolluzi. Për nder të kësaj figure të shquar të arsimit dhe kombit, për çdo vit mbahet manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, kurse sivjet (të shtunën 26 shtator), u mbajt në rrethana pak më ndryshe për shkak të krizës shëndetësore të shkaktuar nga virusi korona.
E veçanta e këtij manifestimi ishte trajtimi i një teme mjaft kuptimplote për
historinë tonë shpirtërore, siç është figura poliedrike e Shën Jeronimit Ilir,
me veprën e të cilit fillon një epokë e re e kulturës, letërsisë, filozofisë dhe
mendësisë së qytetërimit perëndimor në përgjithësi.
Manifestimi i sivjemë në Stubëll të Epërme pati edhe një emocion për mua
personalisht, pasi që isha i nderuar me mirënjohje nga ana e Shoqatës
kulturore “Dom Mikeli Tarabolluzi” në krye me poetin Sarë Gjergji, gjest ky
që i jep vlerë të posaçme komunikimeve dhe bashkëpunimeve tona kulturore
e shkencore.
Dhe kur jemi te Stublla, nuk mund të mos përmendi një mik timin të dashur
dhe një prej studiuesve më të spikatur, që vjen po nga ky mjedis bujar –
Albert Ramaj, me të cilin na lidhin jo vetëm disa kilometra fjalë të shkruara
brenda një procesi të gjatë bashkëpunimi shkencor, por edhe një miqësi e
sinqertë e vëllazërore, burimi i së cilës ndodhet pikërisht në preokupimin
tonë të përbashkët: që të nxjerrim në dritë më të bukurën e mundshme të
mendësisë sonë shkencore e kulturore.
Jo rastësisht po e përmendi Albert Ramajn, sepse ai na e kujton edhe
kushëririn e tij, një kolos tjetër të Karadakut, mësuesin dhe meshtarin Don
Zef Ramaj, i cili mbetet i pavdekshëm në kujtesën tonë për punën titanike që
ka bërë në ngritjen kulturore e shpirtërore të shqiptarëve në Shkup, të
mbledhur rreth famullisë “Zemra e Krishtit”, ku zhvillohej edhe një aktivitet i dendur edukativo-arsimor, nën udhëheqjen e tij.