Strumicë, 14.11.2020 – Aktivitetet në kuadër të manifestimit “Ditët e Alfabetit”, vazhduan në Strumicë, ku për herë të parë në mënyrë dinjitoze u bënë homazhe tek varri i iluministit Gjerasim Qiriazi.
Drejtori Asani tha se sot ndodhemi para një guri, që nuk shënjon vetëm vendndodhjen e një varri, por edhe trajektoren e një bote shpirtërore brenda së cilës lëvizi familja Qiriazi. “Në këtë trajektore e gjejmë edhe Gjerasimin, i lindur dhe rritur në Manastir, dhe brenda një moshe relativisht të re, atë e shohim vazhdimisht në lëvizje, kryesisht i ngarkuar me aktivitete që lidheshin me përhapjen e mësimeve ungjillore. Gjerasimi jetoi vetëm 35 vite, deri më 24 janar 1884, kur i mbylli sytë për të fundit herë, por porositë që ai ia la të motrës Sevastisë dhe mbarë familjes, për të vazhduar përpjekjet iluministe në emancipimin dhe edukimin e popullit në frymën e shkronjave shqipe, dhanë fryte disa vite më vonë, konkretisht më 1908 kur në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, një ngjarje kjo e madhe kombëtare që kishte kaluar nëpër dyert e shtëpisë së Qiriazëve”, tha Asani.
Pas homazhit, me fjalimet e tyre u paraqitën edhe veprimtari Fatmir Limani, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve Ylber Sela, ambasadori i Kosovës në Shkup Gjergj Dedaj, përfaqësuesi i Kishës Protestante të Kosovës – Artur Krasniqi, kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë – Ylli Doçi, etj.
Në të vërtetë, falë kujdesit dhe përkushtimit të përfaqësuesve të Fondacionit ‘Ms. Stone’, varri i Gjerasim Qiriazit ruajt të mos grimcohet nga dhëmbi harresës, kurse ITSHKSH ishte logjistika kryesore e ritakimit me të, pikërisht në ditën kur filloi edhe manifestimi Ditët e Alfabetit, një ngjarje që përveç historisë, brenda ka edhe kujdesin dhe ndërgjegjësimin tonë në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave që ishin motor i zhvillimit tonë kombëtar.
Gjerazim Qiriazi dhe disa protestantë tjerë, fillimisht ishin varrosur në Manastir (Gjerazimi vdiq më 2 janar 1894), pranë kompleksit arkeologjik Heraklea, mirëpo mungesa e kujdesit dhe neglizhenca e autoriteteve komunale, kishte bërë që të rrezikohet edhe ekzistenca e këtyre varrezave. Më 2013, Bashkësia Ungjillore kishte vendosur t’i bart këto varre në një hapësirë tjetër dhe ishte gjetur një hapësirë në kuadër të varrezave të qytetit të Strumicës, që aty të pushojnë eshtrat e Gjerasimit dhe disa bashkëbesimtarëve të tij.