Sqarim: ITSHKSH ktheu gjuhën amtare të Nënë Terezës në Sheshin e Shkupit

Lidhur me disa reagime që pasuan ngjarjen e djeshme, me shpalosjen e pllakës përkujtimore në gjuhën shqipe te vendi i shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Tereza, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për opinionin e gjerë publik lëshon këtë    

S Q A R I M

Përvjetori i 110 i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Tereza, nën organizimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, u shënua në mënyrë madhështore dhe të dinjitetshme në Shkup dhe në Prishtinë, në frymën e humanizmit dhe tolerancës që ka shëmbëllyer nobelistja jonë.

Qëllimi parësor i Institutit tonë ka qenë që pikërisht në këtë përvjetor, të kthejë gjuhën amtare të Gonxhes në Sheshin qendror të Shkupit, aty ku madje pati qëllime shumë dashakeqëse për fshirjen e gjurmëve të shtëpisë së saj. Dhe kjo u arrit falë betejës sonë, bashkë me institucionet tjera, shoqërinë civile dhe autoritetet shqiptare të Qytetit të Shkupit.

Reagimet që u bënë në drejtim të dukjes së pllakës apo edhe emrit të donatorit, mbase kanë qenë për shkak të painformimit të duhur të reaguesve.

E para, për vendin në të cilën është vendosur ajo pllakë, ka kontest gjyqësor meqë ajo pronë është e privatizuar vite më parë. Dhe, derisa nuk zgjidhet ai kontest, nuk mund të bëhet ndryshim rrënjësor, pra diçka që do të dëshironim të gjithë. Sa për informim, ne si Institut, së shpejti do të paraqesim elaborat deri te Kuvendi republikan, për shpalljen e Shën Nënë Terezës aset shtetëror. Në atë, rast ai vend ku gjendet sot pllaka përkujtimore në tre gjuhë, do të merr pamje krejt tjetër dhe do të ridizajnohet me elemente autentike të jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut. Prandaj, gabohen rëndë të gjithë ata që nguten me vlerësime të pamatura.

Çështja tjetër që u ngrit si shqetësim, ishte ajo e emrit të donatorit z. Enver Maliqi në pllakën përkujtimore! Duke i ditur rrethanat e lartpërmendura, ne kishim vendosur që të jetë edhe emri i tij aty, jo për shkak të shumës së mjeteve të shpenzuara, por për shkak të një lloj garancie që ka dhënë i njëjti, duke qenë edhe zëvendëskryetar i Qytetit të Shkupit. Megjithatë, nga një letër që z.Maliqi ka dërguar në adresën tonë pak më parë, në shenjë të vullnetit të mirë, respektimit të figurës së madhe të njerëzimit, dhe për të kontribuar në mosnxitjen e debateve të panevojshme në opinion, ai ka kërkuar që t’i hiqet emri nga pllaka. Dhe ne e vlerësojmë shumë këtë akt qytetar, për çka edhe e falënderojmë.

Në fund, vlerësojmë lartë aktivizmin qytetar për çështje me interes publik, dhe njëkohësisht kërkojmë mirëkuptim që gjërat e mira t’i bëjmë bashkë, ngadalë, me maturi dhe mençuri, e jo me eufori dhe vlerësime të pakontrolluara që nuk i bëjnë mirë kauzës sonë të përbashkët.

Me respekt,

Dr. Skender Asani,

Drejtor i ITSHKSH-së

 

Shkup, 27.8.2020

 

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

U promovua libri “Trashëgimia kulturore islame në Shkup”

Shkup – 26.01.2022 – Sot, në mjediset e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të …