“Shtegtime nëpër atdhe”, një libër i shkruar me përkushtim atdhedashurie

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Dua të shpreh që në fillim përgëzimet e mia të sinqerta për mikun tim, z. Berat Luzha, i cili kësaj radhe, si autor i veprës dy vëllimshme “Shtegtime nëpër atdhe” , na ka bërë bashkë në këtë promovim, duke dëshmuar edhe një herë se aktivitetet e tij kombëtare e kulturore gjithmonë kanë qenë dhe mbeten ngjarje me një ndikim të pakontestueshëm.

Duke e promovuar këtë vepër voluminoze të z. Luzha, ne sot me ndihmën e tij po e bëjmë një “ekskursion” tematik nëpër viset e bukura të vendeve tona, ku pena dhe shija e stërolluar e autorti ka arritë të nxjerrë vlerat njerëzore e natyrore gjatë këtij shtegëtimi tepër motivues.

I shkruar në formën e reportazheve dhe vrojtimeve studimore, tekstet e këtij libri nxjerrin në pah zhdërvjelltësinë e  një pene që si pikësynim ka plotësimin  e njohurive të munguara të publikut me disa specifika etno-historike e social-urbanistike të vendbanimeve tona, në të gjitha skajet e atdheut tonë, andej e këndej Drinit.

Kur lexon këtë libër, të bëhet se po udhëton bashkë me autorin dhe si bashkëudhëtar i tij në monitorin e imagjinatës tënde renditen qytetet, fshatrat, bukuritë natyrore, monumentet e lashta si dhe personazhet e shumtë, të cilët në libër vijnë shumë natyrshëm, falë edhe fotografive autentike e tepër kualitative.

Libri dy vëllimësh  “Shtegtime nëpër atdhe” i flet kohës së tanishme për të mësuar më shumë mbi gjeografinë dhe historinë tonë kombëtare dhe si i tillë ky libër lirisht mund të integrohet në korpusin e veprave shkollore, si literaturë ndihmëse që do të plotësonte dhe zgjeronte njohuritë e bazuara në biseda të gjalla, dhe në vizita të shumta të realizuara në hapësirën tonë kombëtare.

Vet përmbajtja e librit flet shumë edhe për autorin, sepse ky libër nuk do të mund të shkruhej pa përkushtim dhe dashuri ndaj vlerave tona, prandaj Berat Luzha duke na ofruar këtë vepër, ai në fakt ka shpalosur edhe karakterin e një shpirti liridashës e patriot.

Pra, duke e pasur parasysh pikërisht këtë karakter, na del që  z. Luzha me jetën dhe veprimtarinë e tij të bujshme përfaqëson jo vetëm një gjeneratë, por edhe një mozaik të gjerë veprimtarie, gërshetuar me mjete e metoda të ndryshme,  dedikuar kauzës sonë  kombëtare. Kjo mund të shihet lehtësisht edhe në veprimtarinë e tij pas përfundimit të luftës, sidomos  përkushtimi i tij në gazetën Rilindja, por edhe më herët, kur ai si pjesëtar aktiv i lëvizjes sonë ilegale përgatiti terrenin për rezistencën e armatosur, të cilën ai e fuqizoi përmes veprimtarisë propaganduese-gazetareske, dhe duke u bërë kështu një zë i fuqishëm përmes Kosovapresit dhe Radio Kosova e Lirë,i betejave të lavdishme të djemve e vajzave tona, por edhe i procesit të ndërtimit të shtetit të Kosovës pas përfundimit të luftës.

Para nesh kemi pra një autor, i cili librin e tij nuk e ka ndërtuar mbi copëza meditimesh e motive imagjinare, por një autor që vjen i përgatitur me përvojën e njeriut që me një qëndrim të hekurti bëri ballë edhe pothuajse një dekadë në burg, një përvojë kjo që i ka dhënë atij nxitje që ta eksploroj atdheun nga të gjitha anët e tij. Kjo nxitje zatën shprehet edhe nga vet autori që në parathënien e librit “Shtegtime nëpër atdhe”, ku ndër të tjera ai  vë në dukje se dëshira e tij e përjetshme ka qenë të udhëtonte nëpër çdo rrugë të atdheut e në këtë mënyre t’i përmbahet fjalës së popullit “Njihe atdheun që ta duash më shumë”.  Po kështu, mund të thuhet se kjo vepër është dëshmi e një shpirti me dashuri të pashtershme dhe të pakushtëzuar  ndaj atdheut.

Lexuesi që fillon të shfletojë këtë vepër lehtësisht mund të zhytet në përjetimin e këndshëm të udhëtimit imagjinar, ku autori bëhet një udhërrëfyes me një ton miqësor, të sinqertë e të urtë. Duke lexuar për viset tona, disa të njohura e disa që presin të zbulohen nga ne, natyrshëm lind kërshëria dhe dashuria, bëhet më e prekshme historia plot drama e popullit tonë, që nga antikiteti e deri më sot. Shpeshherë, ndërkohë që lexojmë mund të hasim ndonjë këshillë, se ç’mund të bëhet, për shembull, për një qytet që “po vdes”, thënë kështu me fjalët e autorit.

Por në anën tjetër, ky libër mund të lexohet edhe si një guidë udhëtimesh ekzotike, sepse autori si duket e ka pasur edhe këtë qëllim, që duke shkruar për anët  panjohura të atdheut tonë, të na ftojë t’i vizitojmë shumicën e atraksioneve turistike, por edhe vendbanimet braktisura dhe lokalitetet e pasura arkeologjike, sepse vetëm kështu mund ta duam më tepër atdheun, ose 222 viset sa ka prezantuar autori në libër. Me të gjitha këto dimensione, kjo vepër përveç se që është fryt i një dashurie për atdheun, ajo është edhe  kurorëzim i natyrshëm i një veprimtarie përplot sakrifica dhe beteja, të lidhura me fatin e një idealisti të flaktë.

Kështu pra, kjo vepër dyvëllimshme, me pritjen për t’iu bashkangjitur edhe një vëllim i tretë,na fton të të mësojmë më shumë edhe për vetë shpirtin e popullit që e ka ushqyer këtë tokë me jetën e veprën e vet, ndonëse shpeshherë i rrezikuar nga pushtues të ndryshëm. “Shtegtime nëpër atdhe” padyshim që do të jetë një pasuri që ndër vite do të njoftojë dhe frymëzojë brezat e ardhshëm me viset shqiptare, e do të shërbejë si një ftesë që integrimi ynë kombëtar të ndjek pikërisht itinerarin udhëtimeve të autorit nëpër atdheun tonë, duke nxjerrë në pah të bukurën e natyrës dhe të virtytshmen e njeriut shqiptar.

Duke e përmbyllur këtë fjalë timen që ishte impresion rasti nga leximi i kësaj vepre kaq të vlefshme të veprimtarit dhe publicistit z. Berat Luzha, po sjell një shprehje të bukur të  Nënës Tereza, e cila thoshte: “Mos mendoni se për të qenë e vërtetë dashuria duhet të jetë e jashtëzakonshme. Nevojitet vetëm të dashurojmë pa u ndjerë të lodhur”.

Me librin e tij, z. Luzha jo vetëm që na ka bërë të mos e ndjejmë lodhjen e udhëtimit tonë imagjinar nëpër viset e bukura të atdheut tonë, por na ka obliguar që atdheun ta njohim edhe më tepër duke eksploruar atë, qoftë si vizitorë të thjeshtë, qoftë si studiues.

Krej në fund autorit, z. Berat Luzha i uroj shëndet dhe suksese të pandalshme me vepra të tjera!

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …