Shkup, 15 tetor 2018, – Qendra multimediale ”Stacioni i vogël” në Shkup ishte e vogël për të pranuar numrin e madh të adhuruesve të fotografisë dhe artit nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe diaspora, për të parë ekspozitën “Unë jam SHQIPTAR”, nën organizimin e Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni.
Në hapje të ekspozitës morën pjesë ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, Dorian Koҫi, përfaqësuesi i familjes së heroit kombëtar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, drejtori i ITSHKSH, Skender Asani dhe drejtoresha e Galerisë Nacionale të Maqedonidë, Dita Starova.
“Kontributi i mërgatës pa të cilin nuk mund të imagjinohej Shqiptaria sot ka ardhur në Shkup ndryshe, pra përmes kësaj ekspozite”, tha ministri Ademi ,duke vlerësuar kontributin e mërgatës si dhe duke falenderuar organzatorët e kësaj ekspozite. Mes tjerash ai veҫoi dy figura të rëndësishme shqiptare nga Maqedonia, nobelisten Nënë Tereza nga Shkupi dhe nobelistin Ferit Murat nga Gostivari në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre si shqiptar. “Këta janë dëshmi se shqiptarët e Maqedonisë jo që ngecin në kontributin e thirrjes “Unë jam shqiptar” por ata prijnë. Erërat e ndryshme mund të fryejnë ngado, por ne përsëri jemi shqiptarë” tha ndër të tjera në fjalimin e tij ministri Ademi.
Në vijim fjala iu dha pinjollit të trungut Hasan Prishtina, Mehmet Prishtinës. Si një mërgimtar për tridhjetë vite që është kthyer tani në Kosovë ai apeloi që mos ta harrojmë kontributin e diasporës. “Të festojmë me vëmendje dhe respekt për diasporën nga Skenderbeu e deri te Rita Ora”, tha veç tjerash Mehmet Prishtina.
“Shqiptarët përbëjnë një ndër mërgatat më të mëdha në botë”, tha Dita Starova, drejtore e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë, duke bë një vështrim të emigrimit të shqiptarëve që nga kohët e vjetra, në Itali, Greqi dhe Turqi. Ajo shtoi se ekspozita ka për tematikë emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.
“Siҫ mund ta shihni, të gjitha këto foto janë momente të zhvillimit kulturor të shqiptarëve. Janë një mesazh paqeje për të arritur barazinë mes kombeve të kulturuara”, tha Dorian Koҫi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë. “Ajo që kombi shqiptar i detyrohet diasporës është një pjesë e madhe e zhvillimit kulturorë dhe lirinë. Kjo ekspozitë do të mbyll ciklin e saj në Ulqin, dhe kjo duke iu falenderuar kontributit të pazëvendësueshëm të diasporës shqiptare”, u shpreh Koҫi.
Ndërsa, drejtori i Institutit, dr. Skender Asani, tha: “Jo rastësisht kremtojmë në qytetin shpirtëror të shqiptarëve, jorastësisht kthesat më të mëdha kanë ndodhur në këtë qytet. Kjo ekspozitë e ka peshën dhe reflektimin më të madh pikërisht në kryeqendrën e Dardanisë, kryeqendrën e Vilajtit të Kosovës, në kryeqendrën shpirtërore të shqiptarëve… Ky kremtim përbëhet prej dy ditëve, ekspozita e sotme e fotografive dhe ajo e nesërmja që ku do ekspozohen pikturat e piktorit dhe veprimtarit Emrush Xhemajlit”.
Dr. Asani gjithashtu theksoi rolin e madh të diasporës shqiptare në të gjitha fushat e jetës. “Ai shqiptar i parë që shkoi në SHBA e kishte këmbën e mbarë sepse të gjithë ata që shkuan pas tij kontribuan që shqiptarët ta fitojnë aleatin më të madh të tyre që janë SHBA, ndihma e të cilëve rezultoi me anëtarësimin Shqipërisë në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe me avansimin e pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë,” potencoi Asani. Duke theksuar peshën e diasporës, ai apeloi te faktorët shqiptarë në Tiranë, Prishtinë dhe udhëheqësit në Maqedoni qe t’ua lajnë borxhin mërgimtarëve, meqë ata nuk kërkojnë shpagim material, por vetëm vëmendjen e duhur.
Më pas, dr. Dorian Koҫi drejtor i Muzeut Kombëtar të Historisë së Shqipërisë dhe dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, solemnisht nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Ndërsa, mysafirët e shumtë u shoqëruan nën tingujt autoktonë shqiptarë të Duo Scupi.