Shënohet 108-vjetori i Çlirimit të Shkupit

Shkup, 12 gusht 2020 – Me rastin e 108-vjetorit të Çlirimit të Shkupit nga ana e kryengritësve shqiptarë, sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) – Shkup, në bashkëpunim me Komunat Çair dhe Saraj të Shkupit, organizoi Akademi përkujtimore dhe promovoi poemën “Adem Jashari” të autorit Ilir Shaqiri.
“Çlirimi i Shkupit ishte epiqendra e të gjitha zhvillimeve, për arsye se bashkë me çlirimin e Shkupit ndodhi edhe një mobilizim i përgjithshëm, ndërkohë që forcat kryengritëse shqiptare vazhduan me çlirimin e shumicës së fshatrave dhe qyteteve në gjithë Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë”, theksoi drejtori i Institutit, Skender Asani. Sipas tij, kjo datë ka reflektuar edhe zhvillimet e mëvonshme politike, dhe në historinë më të re të shqiptarëve, në këtë datë është shënuar edhe arritja e Marrëveshjes së Ohrit, e cila i hapi vendit dhe shqiptarëve të këtushëm perspektiva të reja.
Para të pranishmëve foli edhe deputeti i Shkupit, Izet Mexhiti, i cili përkujtoi këtë datë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, e cila viteve të fundit u shënua denjësisht në Shkup, me vendosjen e shtatoreve të heronjve Hasan Prishtina e Isa Boletini.
Akademinë solemne e nderoi edhe pasardhësi i Hasan Prishtinës, veprimtari Mehmet Prishtina, i cili theksoi rëndësinë e 12 gushtit dhe simbolikën e madhe që e ka kjo ngjarje për të gjithë shqiptarët.
Në pjesën e dytë të këtij aktivitetit, u bë edhe promovoi i poemës “Adem Jashari” të autorit Ilir Shaqiri, një botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Rreth poemës dhe një bio-bibliografi të autorit, e paraqiti Besir Jashari.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ndërsa, delegacione nga Instituti, si dhe nga komunat e Çairit dhe Sarajit, vendosën lule te shtatorja e Hasan Prishtinës, te pllaka përkujtimore e Mursel Ahmet Delisë në Çair, dhe te shtatorja e Isa Boletinit në Saraj.
Prej vitit 2012, me rastin e shënimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, çdo 12 gusht shënohet Çlirimi i Shkupit nga kryengritësit shqiptarë të prirë nga Hasan Prishtina.

Shikoni gjithashtu

QASJA INSTITUCIONALE DHE SHKENCORE NDAJ FIGURËS SË NËNËS TEREZE

Nga Prof. dr. Skender ASANI Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike …