Seminari i Ballkanologjisë, përfundoi punimet me sukses

Shkup 23 tetor 2018, -Me promovimin e veprave përkushtimore për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, i mbylli punimet edicioni i parë i Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjik, organizuar nga Instituti i Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqipëtarëve në Maqedoni, në të cilin morrën pjesë një numër i madh studiuesish dhe hulumtuesish në fusha të ndryshme të balkanologjisë nga Gjermania, Austria, Italia, Bullgaria, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, mes tjerash tha se Kuvendi i Maqedonisë ka caktuar që Instituti të jetë bartës i të gjitha aktiviteteve për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skenderbeut, prandaj është nderë për seminarin dhe për institutit, që sot po arrijmë të promovojmë dy vepra dhe një revistë që i kushtohen heroit tonë kombëtar.

Libri “Skenderbeu në vendet nordike” i autorëve Xhevat Lloshi dhe Xhon Kuanrud, u botua në bashkëpunim mes Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante në Tiranë dhe Insitutit të Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, tha recensenti David Hosaflook, duke prezantuar librin para pjesmarrësve të seminarit. Në vazhdim ai citoi  historianin skandinav, Ludvig Holberg, që në vitin 1739 kishte shkruar: “Gjergj Kastriot Skenderbeu është prijësi dhe heroi më i madh në histori”. Botimi në fjalë na sjellë në gjuhën shqipe rrëfimin e këtij historiani dhe tregon për hapjen e historisë së figurës së Skenderbeut në vendet nordike, duke filluar qysh në 1709, me një libër të botuar në Danimarkë, tha Hosaflook.

Duke folur për librin e dytë “Shkupi për Vitin e Skenderbeut (1468-2018), Sevdail Demiri, tha se e veçanta e këtij libri aktual dhe tematik, është se i njëjti është botuar në tri gjuhë, shqip – maqedonisht – anglisht, duke e bërë të qasshëm për një opinionin shumë të gjerë lexuesish. “Ky libër është një ndërthurje në mes materialeve të Akademisë solemne të mbajtur në 17 janar 2018 në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe disa punimeve shkencore-historike që i kushohen figurës së Skenderbeut”, tha Demiri.

Me këtë rast u promovua edhe revista “Studime Albanologjike” numër 17, e cila i kushtohet figurës dhe epokës së Skenderbeut. Kryeredaktori  Qemal Murati, bëri të ditur se në këtë numër tematik të revistës kushtuar Skenderbeut përfshihen 16 shkrime, studime, materiale, tregime për Skenderbeun dhe epokën e tij, me prurje të reja nga fusha e historisë, gjuhësisë, letërsisë, etnografisë dhe të tjera.

Drejtuesi i Seminarit, Qemal Murati, në fjalën përmbyllëse u shpreh i kënaqur nga niveli i lartë i referuesve, të cilët po lënë gjurmë në studimet ballkanologjike. Ai u shpreh se në këtë edicion pati afër 40 kumtues, me një larmi të madhe të temave, të cilat së shpejti do të botohen në një edicion të veçantë.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …