Ritet e ciklit jetësor, në fokusin e studiuesve

Shkup, 16.06 2022 – Sot në Insitutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup u mbajt konferenca e 14-të me rradhë e Javës së Trashëgimisë Kulturore. Sipas njërit nga koordinatorët, Rini Useini, nëpërmjet konferencave etnolologjike Instituti synon jo vetëm të mbledh studiues të trevave të ndryshme, por edhe të trajtojë tema të ndryshme për t’u arkivuar etnologjia e të kaluarës, në ndërthurje dhe me të sotmen e saj. Kështu në këtë konferencë çdo vit trajtohen çështje kulturore dhe etnologjike si veshja, dasmat, këngët folklorit, ritet e kalendarit popullor, çështje të ruajtjes së trashëgimisë kulturore etj., duke marrë informacione etnografike më të detajuara për shumë aspekte të folklorit dhe etnokulturës. “Këtë vit me qëllim të gjithpërfshirjes tematike të jetës së njeriut dhe ciklet e rëndësishme të tij, të cilët i theksojnë dhe shumë autorë në punën e tyre studimore, siç është teoria e Van Genep për ritet e kalimit, përzgjodhem tre ritet: lindjen, martesën dhe vdekjen, me qëllim që si çështje riti jetësor të jetë i njësuar”, tha Useini. Konferencën e përshëndeti drejtori i Institutit, Dr.Skënder Asani, i cili ndër të tjera tha: “Në Institutin tonë asnjëherë nuk ka munguar qasja shkencore ndaj riteve të ciklit jetësor siç janë: lindja, martesa dhe vdekja, andaj pikërisht sot në këtë Konferencë shkencore, kemi vendosur që kjo temë të trajtohet në mënyrë të shumanshme nga studiuesit si dhe bashkëpunëtorët tanë. Është me interes të theksohet se fokusi ynë si Institut asnjëherë nuk ka munguar kur kanë qenë në pyetje veçantitë etnopsikologjike të popullit tonë, të cilat ndonëse kanë kaluar nëpër vështirësi të shumta historike, ato megjithatë e kanë ruajtur bazamentin e autoktonisë dhe vijimësisë”. Më tej Asani uroi që studiuesit t’i rrumbullakësojnë tezat dhe pretendimet e tyre shkencore mbi ciklin jetësor: lindja, martesa dhe vdekja, duke ofruar edhe këndvështrime të reja mbi këtë shtyllë mjaft të qenësishme të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore. Në konference morën pjesë emra të njohur të folklorit dhe etnologjisë si: Izaim Murtezani, Vlora Fetaj Berisha, Nevrije Ismaili, Lindita Ahmeti, Edibe Osmani, Vebi Bexheti, Hirijet Ziberi, Visar Munishi, Krenar Doli, Angjelina Hamza, Rini Useini, Xhemaledin Salihi, Bekim Ramadani, Jesir Hoxha, Bekim Vishaj, Minir Ademi, Besnik Rameti, Ardian Ramadani, etj. Punimet e autorëve do të botohen në revistën e radhës të Institutit i cili është i dedikuar për konferencat shkencore SCUPI.

 

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …