Reagim lidhur me stelat e gjetura në qytetin antik të Scupi-t

ITShKSh: Vlerat arkeologjike nuk mund të jenë pronë private

Këto ditë në media po qarkullon një lajm se në qytetin antik të Scupi-t po kryheshin gërmime arkeologjike dhe se janë zbuluar dy stela, ku në njërën prej tyre qëndron mbishkrimi DARDANUS.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkatësisht Departamenti i Kulturës Materiale të ITShKSh-së, rithekson faktin që Scupi ishte qendra e mbretërisë Dardane dhe për këtë dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike në këtë lokalitet.

Stelat si gurë mbivarror në të cilat shënohen të dhënat e personit të vdekur si dhe personit i cili e ka ngritur atë stelë, janë gjetur ndër vite, jo vetëm në Scupi, por, edhe në shumë vendbanime e lokalitete tjera arkeologjike në tërë territorin e Dardanisë.

Stelat e fundit të zbuluara në qytetin antik të Scupi-t duhet përkthyer dhe studiuar mirë. Arkeologia e njohur prof. dr. Exhlale Dobruna – Salihu, ka studiuar gjatë kohë plastikën dekorative dardane, duke përfshirë edhe stelat të zbuluara ndër vite në Scupi, të cilat rezultojnë t’u takojnë shekujve II dhe III. Në bazë të fotografive që po shohim, mendojmë se stelat janë të tipit I-varianti A.

Shqetësues është fakti se si ka mundësi që “pronari” që i bën punimet, nuk lejon mediat që të marrin pamje të stelave në fjalë, me arsyetimin se kjo është “pronë private”, duke ditur fare mirë se kemi të bëjmë për nekropolin e qytetit të Scupi-t.

Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit, është se si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike.

Prandaj ne kërkojmë që të dalin publikisht të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë në zonën e qytetit antik Scupi.

Njëkohësisht, bëjmë thirrje që sa më shpejt këto stela të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, sepse çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme.

ITShKSh – Shkup, 21.02.2023

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …