Shkup, 2.3.2021 – Në shenjë të përkujtimit të 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, si njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë, me Skënderbeun si kryeprijës, u promovua veprimtaria e bujshme hulumtuese-shkencore dhe botuese e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup për vitin 2020, me ç’rast në mënyrë të veçantë u fol rreth librit të autorit Bajram Kosumi: “Letërsia nga burgu”.
Me këtë rast, drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se zhvillimi i ideve dhe projekteve nga ana e hulumtuesve tanë shkencorë ka pasur si pikësynim ngritjen e vëmendjes publike në nivelet e duhura të formimit të mendimit kritik për tema të caktuara. “Duke e pasur për objektiv këtë pikësynim, Instituti ynë ka hapur me sukses tema me interes shoqëror, dhe ka trajtuar guximshëm çështje që në të kaluarën kanë vuajtur nga stereotipet e caktuara”, tha Asani. Më tej ai shtoi se “nëse i hedhim një sy raportit në mes të vëllimit dhe cilësisë së punëve që kemi bërë si Institut dhe fondeve financiare që ndahen, do të shohim një shpërputhje të theksuar në dëm të projekteve e aktiviteteve hulumtuese-shkencore. Me shpresë se politika financiare dedikuar fushëveprimit shkencor në të ardhmen do të ketë një trajtim më dinjitoz, dua të shprehi publikisht gatishmërinë time si drejtues i këtij Instituti që veprimtaria shkencore e hulumtuese do të jetë edhe më mobilizuese dhe më kreative, duke arsyetuar, fundja edhe objektivin madhor për të cilin ekziston ky Institut”, u shpreh Asani.
Me një fjalë rasti përshëndeti edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela. Ndërsa, me praninë e tyre aktivitetin e sotëm e nderuan zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministër i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, pastaj profesorë, studiues, drejtorë, etj.
Një emër i njohur i letrave shqipe që vjen nga Kosova, Anton Nikë Berisha, në cilësinë e promotorit të veprimtarisë së përgjithshme hulumtuese-shkencore dhe botuese të ITSHKSH-së gjatë vitit 2020, tha se “Instituti është shndërruar në një qendër të denjë hulumtuese dhe shkencore për tematika që asnjëherë nuk janë studiuar në atë përmasë dhe thellësi, duke shërbyer edhe si shembull për institucionet e ngjashme, por duke krijuar dhe traditë”. Sipas Berishës, edhe botimet e bëra gjatë vitit 2020 përligjin mirëfilli përcaktimin dhe veprimtarinë e pasur e për shumëçka të vlefshme. “Nëpërmjet këtyre librave shkencorë dëshmohet dija shkencore dhe e vërteta shkencore dhe kjo dije përçohet dhe dhurohet përmes këtyre botimeve”, tha ai.
Gjatë vitit 2020, në mesin e 20 botimeve të reja nga shumë fusha shkencore, Instituti në Shkup, nxori edhe librin e autorit Bajram Kosumi me titull “Letërsia nga burgu – kapitull më vete në letërsinë shqipe”. Libri në fjalë është mirëpritur nga publiku dhe kritika shkencore, prandaj për të dhanë vlerësimet e tyre recensentët Emin Azemi dhe Bashkim Musliu. Më tutje, auditorit iu drejtua edhe autori i librit në fjalë, studiuesi dhe veprimtari Bajram Kosumi, njëherësh rektor i Universitetit “Kadri Zaka” të Gjilanit, i cili theksoi përkushtimin në përpilimin e këtij libri, i cili përmban disa specifika të veçanta në mënyrën e trajtimit të lëndës dhe autorëve që janë objekt studimi.
Sekretari shkencor i Institutit, Sefer Tahiri, paraqiti një pasqyrë të plotë për gjithë veprimtarinë hulumtuese-shkencore dhe botuese të Institutit gjatë vitit 2020. Ndërsa, një letërnjoftim po ashtu i rëndësishëm dhe argumentues i punës njëvjeçare, dhe njëkohësisht një lloj llogaridhënie e punës së këtij institucioni, gjendet në botimin e ri të veçantë “Kalendari albanologjik” nr. 3.