Promovohen tetë botime të reja shkencore të ITSHKSH-së

photo-1

Shkup, 26.05.2014 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, duke hyrë në vitin e gjashtë të funksionimit të tij si institucion publik shkencor, iu është përgjigjur me sukses detyrimeve ligjore, kërkesave shkencore-akademike, por edhe nevojave specifike, që ka ky institucion ndaj hulumtimit bazik dhe të thelluar të identitetit të shqiptarëve në tërësi, dhe të atyre të Maqedonisë në veçanti.

Sekretari shkencor i ITSHKSH-së, Dr.Sefer Tahiri, duke referuar në hollësi për angazhimet e deritashme të këtij instituti, theksoi se aktivitetet e ITSHKSH-së, janë shtrirë në shumë plane: në dimensionin e hulumtimit shkencor, veprimtarinë botuese dhe pjesëmarrjen e hulumtuesve shkencorë në tryeza, seminare dhe simpoziume shkencore. Sipas Tahirit, ITSHKSH, gjatë vitit të kaluar kalendarik nxori nga shtypi disa botime të reja, të cilat e plotësojnë mozaikun e literaturës shkencore, sidomos në sferën e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe. Bëhet fjalë për numrin e 7 dhe 8 të revistës “Studime albanologjike”, numrat 5 dhe 6 të kolanës ”Scupi”, si dhe librat autoriale: “Fjalor i gabimeve gjuhësore” nga Prof.Dr.Qemal Murati, “Këngët lirike të Drinisë” nga Dr.Shefqet Zekolli, “Rreth tipareve gjuhësore të gazetës ‘Shkupi’ (1911-1912)” nga Dr. Bukurije Mustafa, si dhe “Said Najdeni–Hoxhë Voka dhe Hafiz Sherif Langu” nga Prof.Dr. Mahmud Hysa. Për të gjitha këto botime, kritika relevante e ka dhënë mendimin e vetë, duke vlerësuar lartë kontributin e çmuar të këtyre studiuesve nëpër këto lëmi të hulumtuar.

Drejtori i ITSHKSH-së, Dr.Shefqet Zekolli, veç tjerash tha se është kënaqësi për të gjithë punëtorët shkencor të këtij instituti, që me gjithë vështirësitë e natyrave të ndryshme, sot po arrijmë të promovojmë punën tonë gjatë vitit 2013, e cila rezultoi me gjithsej tetë botime, shumë konferenca shkencore dhe pjesëmarrje në organizime të rëndësishme të fushës së shkencës dhe kulturës në Maqedoni dhe jashtë saj. Sipas tij, ITSHKSH do të vazhdojë me punë edhe më tutje, me synime që të arrijë rezultate edhe më të mira në të gjitha fushat e saj.

Promovimin e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Dibrës, Mr. Ruzhdi Lata, i cili duke e vlerësuar lartë punën e ITSHKSH-së, tha se ky institucion paraqet një Rilindje të dytë për shqiptarët e Maqedonisë.

Instituti ka qenë i hapur për bashkëpunim me institucionet relevante arsimore dhe shkencore në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, me të cilët ka këmbime si të literaturës shkencore, po ashtu edhe të pjesëmarrjes nëpër konferenca dhe projekte të ndryshme shkencore të sferës së gjuhës, letërsisë, historisë, etj. /www.itsh.edu.mk/ 

123

 

 

——————————————————————————————————————————————

Shikoni gjithashtu

NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS

(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”) …

Leave a Reply