Promovimi i librit: “Rreth tipareve gjuhësore të gazetës ‘Shkupi’ (1911-1912)”, autore Dr. Bukurije Mustafa

1Shkup, 20.09.2013 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u promovua libri i Dr. Bukurije Mustafës: “Rreth tipareve gjuhësore të gazetës ‘Shkupi’ (1911-1912)”. Recensenti Dr. Zeqirija Ibrahimi, tha se ky është libri i dytë i studiueses Mustafa, si botim i ITSHKSH-së, i cili ka një lidhshmëri nga sfera e interesimit të studimeve me librin e parë, i cili bënte fjalë për gjuhën e romanit të Jakovë Xoxës. Sipas Ibrahimit, veçantia e këtij studimi, qëndron në faktin se është i pari i këtij lloji për strukturën gjuhësore të gazetës më të rëndësishme shqipe të kohës në Vilajetin e Kosovës, gazetës “Shkupi”, njoftojnë nga shërbimi për informim i ITSHKSH-së.

 

Ndërsa, studiuesja franceze, Evelyn Noygues, nga Instituti i Gjuhëve Orientale në Paris, u ndal posaçërisht te rëndësia e gazetës “Shkupi” dhe kontributi i rilindësit Jashar Erebara, në botimin e kësaj gazete. Sipas Noygues, gazeta “Shkupi” luajti rol të pazëvendësueshëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptare të këtyre anëve në fillim të shekullit të XX.

 

Autorja e librit, Dr.Bukurije Mustafa, tha se me këtë libër ka dashur që të nxjerr në pah veçantinë gjuhësore të gazetës “Shkupi”, krahas karakterit bazik të saj në fushën e publicistikës. Sipas saj, gjuha në këtë gazetë, e cila anonte më tepër në dialektin gegë, tipike për këtë rreth gjuhësor, megjithatë paraqet tendenca të reja drejt një standardizimi.

 

Edhe drejtori i ITSHKSH-së, Dr.Shefqet Zekolli, duke e përmbyllur promovimin, tha se me këto botime instituti po bën përpjekje për të bërë punën e vetë në formën më të mirë të mundshme, përmes nxjerrjes në pah të vlerave tona kulturore e historike, siç është edhe rasti i sotëm me vlerat gjuhësore të gazetës “Shkupi”.

 

Njëherit, me pjesëmarrjen e saj në këtë promovim, si dhe me takimin me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, studiuesja franceze Evelin Noyges, e përfundoi qëndrimin e saj disaditor nëpër Maqedoni, ku prezantoi jetën dhe veprën e atdhetarit Jashar Erebara në Tetovë, Dibër, Kumanovë dhe Shkup. /www.itsh.edu.mk/

 

—————————————————————

Shikoni gjithashtu

Takim i rëndësishëm i Institutit dhe BFI-së në Drejtorinë e Vakëfit në Ankara

Një ekip i studiuesve të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i udhëhequr …