PRIZRENI, “STACIONI” I RADHËS I “DRITËS SË GONXHES”


Prizren,
29 gusht 2023 – Karvani i Manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”,  sot zbarkoi në Prizren, ku u prezantuan botimet e ITSHKSH dhe Ipeshkvisë së Kosovës. Mikëpritës i aktivitetit të sotëm ishte Universiteti “Ukshin Hoti”. Rektori i këtij Universiteti, Mentor Alishani,  u shpreh i entuziazmuar që rrjedha e këtij manifestimi po vazhdon në Prizren, një qytet ky që shquhet me traditën dhe lidhshmërinë me familjen Bojaxhiu.
“Për ta kujtuar jetën dhe veprimtarinë e Nënës Terezë janë planifikuar një sërë aktivitetesh në institucione, qytete dhe shtete të ndryshme të regjionit dhe më larg. Në mesin e tyre këtë vit për herë të parë edhe në qytetin e Prizrenit, respektivisht Universitetin e Prizrenit, gjë për të cilën dua të falënderoj dekanin, Prof. Xhafer Beqiraj dhe drejtorin z. Skender Asani, i cili me këtë manifestim e ka nderuar universitetin tonë”, nënvizoi Alishani. Humanizmi, dashuria, bamirësia, përkushtimi, paqja, ndihma, sakrifica, frymëzimi, shërbimi dhe jeta e shenjtë, janë vetëm disa fjalë që reflektojnë thellësinë e shpirtit te saj dhe ndikimin që pati Nënë Tereza në ndihmën e të varfërve dhe të së sëmurëve në mbarë botën”, nënvizoi Alishani.
Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, pasi foli për dinamikën e dritanishme të Manifestimit, u ndal në disa specifika që dalin nga veprimtaria botuese e shkencore e Departamentit për ruajtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiu-Nënës Terezë. Ai me këtë rast  vuri në dukje domosdosshmërinë e njohjes së kësaj figure, e cila pritet të shpallet “aset shtetëror” nga RMV. Prandaj, tha ai, ITSHKSH ka themeluar një departament të posaçëm, produkt i të cilit janë edhe botimet që po prezantohen sot në Prizrren, përfshi edhe revistën “Drita e Gonxhës”.

Don Lush Gjergji, përfaqësues i Ipeshkvisë Prishtinë-Prizren, në cilësinë e biografit të Nënës Terezë, foli për disa veçanti të figurës së saj. Ai me këtë rast prezantoi edhe disa tituj librash kushtuar Nënës Terezë, të cilat tashmë janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.
Drejtori i ITSHKSH, Asani, në fund të aktivitetit të sotëm ia dhuroi disa tituj librash rektorit të Universitetit të Prizrenit.

Manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes” vazhdon rrugëtimin nesër në Prishtinë, ku bashkë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbillet një bredh me origjinë nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënës Terezë në Shkup.

Shikoni gjithashtu

NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS

(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”) …