Prezantohen relikte banimi nga treva e Karadakut të Likovës e Kumanovës

Shkup, 30.06.2021 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u bë prezantimi i ekspozitës dhe katalogut me titull “Relikte banimi nga treva e Karadakut” përgatitur nga autori Sevdail Demiri. Projekti kishte për qëllim hulumtimin, evidentimin, dokumentimin dhe prezantimin e disa ekzemplarëve të objekteve të vjetra të banimit nga treva e Likovës dhe Kumanovës, aty ku prej në kohërat më të lashta lulëzonte jeta. Duke mos e kufizuar hulumtimin në kohë, autori iu është qasur mbetjeve nga lokalitetet e vjetra arkeologjike e deri te shtëpitë e vjetra fshatare me objektet e tyre përcjellëse të banimit, të cilat paraqesin vlera të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore.

“Kemi insistuar në këtë dokumentim, meqë derisa një pjesë e vogël e tyre aty-këtu ende qëndrojnë në këmbë, në anën tjetër, shumica është duke u zvetënuar nga ‘dhëmbi i kohës’. Për arritjen e këtij qëllimi, fillimisht e kemi observuar gjithë rajonin e Karadakut të Likovës dhe Kumanovës, e posaçërisht atë malor, ku kemi hasur në thesare të paçmueshme të trashëgimisë sonë kulturore, kemi hasur në relikte arkeologjike të banimit, por edhe shtëpi banimi qindravjeçare, të cilat mezi i rezistojnë kohës”, tha autori Demiri. Sipas tij, më atraktive mbetet zona e Likovës, me varrimet e mumifikuara në lokalitetin arkeologjik i njohur si ‘Uji i Thartë’, ku pas 2500 vjetëve na përcillen informacione të ekzistencës së një popullsie vendase me rite krejt të veçanta të mënyrës së varrimit. “Më tej, në këtë dokumentim kemi vënë në dukje edhe asete tjera të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore materiale, të cilat nuk janë hulumtuar fare. Është Kalaja e Hotlës që gjendet në mes fshatit Hotël e Strimë e pagëzuar si Refugium, është Kalaja e Hisarit në Sllupçan nga periudha e Antikitet të vonshëm, si dhe shpella e Orkocit e njohur nga banorët vendas si Skutella, që paraqet një thesar të pahulumtuar deri më tani dhe të pavalorizuar të trashëgimisë sonë natyrore”, u shpreh studiuesi Demiri.

Më tej, si relikte të vjetra të banimit në këtë trevë, autori ka dokumentuar disa shtëpi të vjetra fshatare, të cilat kanë mbetur ende në këmbë. Ndër to nga më të vjetrat dhe më karakteristiket të kësaj treve është shtëpia e familjes Ismaili në Orkoc, e ndërtuar me dru, gurë dhe lloç, e cila ka një vjetërsi që shkon në mbi 150 vjet. Autori ka propozuar restaurimin dhe konservimin e saj dhe ngritjen në një muze etnografik të zonës së Likovës. Gjatë këtij hulumtimi janë dokumentuar edhe disa shtëpi interesante që ndodhen në Presnicë, Goshincë, Sllupçan, Orizare, Nikushtak, etj.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se ky hulumtim i prof. Sevdail Demirit, i prezantuar në këtë ekspozitë, ka një rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë kulturore. Sipas tij, përmes Departamentit të kulturës materiale në ITShKSh, dhe veçanërisht përmes Qendrës rajonale të trashëgimisë kulturore që do të ngritët në Kumanovë, në kuadër të ITShKSh-së, të gjitha këto vlera të kulturës materiale do ta marrin trajtimin e duhur. Prandaj, në të ardhmen do të ndërmerren edhe projekte tjera që kanë për qëllim hulumtimin, studimin, dokumentimin dhe ekspozimin e vlerave të tilla të trashëgiminë tonë kulturore.

Projekti “Relikte banimi nga treva e Karadakut” i studiuesit Sevdail Demiri, është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me programin nacional të vitit 2021. Materiali i ekspozitës i dorëzohet Institutit dhe në hapësirat e tij do të qëndrojë si ekspozitë e përhershme.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …