“Bredhi dedikuar Nënë Tereze simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim”, nënvizoi Asani.
Prishtinë, 30 gusht 2023 – Manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes” sot udhëtoi për në Prishtinë. Drejtori i ITSHKSH Skender Asani me këtë rast ka takuar Presidenten e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani, me të cilën mbollën një bredh, me origjinë nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënës Terezë në Shkup.
Drejtori Asani, pasi prezantoi telegrafikisht punën e Institutit, foli për domosdonë e krijimit të një uniteti kombëtar i cili do të luftonte destruktivitetet kudo që shfaqen ato. Me këtë rast ai përmendi Nënën Tereze si model i përhapjes së paqes dhe mirëkuptimit në mes të njerëzve, e që mund të praktikohet pa problem edhe nga elitat politike e kulturore shqiptare.
“Bredhi dedikuar Nënë Tereze simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim”, nënvizoi Asani.
Presidentja Osmani, pasi faleminderoi drejtorin Asani për këtë aksion domethënës, tha se Nënë Tereza mbetet hallka më e fortë që mund të bëjë integrimin e brendshëm shpirtëror e kulturor të shqiptarëve. Ajo tha se si përfaqësues i udhëheqësve shtetërorë, është gjithmonë e gatshme për të mbështetur dhe për të kontribuar në nderimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së figurave të ndritura si ajo e Nënë Terezës. Sipas saj, dashuria për njëri tjetrin ishte mesazhi më i rëndësishëm i Nënës Terezë.
“Ky bredh, i mbjellë sot, simbolizon dëshminë e veprës së Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit, vullnetin e saj për t’i shërbyer atij. Nënë Tereza gjeti gjithmonë forcë që dhimbjen e saj, të popullit të saj dhe të të gjithë të vuajturve ta kthejë në dashuri për njerëzimin, në vepër të përvuajtur në shërbim të të varfërve, madje, sikur thoshte vetë, në shërbim të më të varfërve ndër të varfrit”, tha Presidentja Osmani
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe biografi i Nënës Tereze, Don Lush Gjergji.
“Nga Ipeshkvia e Prishtinës, kemi nderin të bashkëpunojmë me Presidencën për njohjen, parqitjen dhe transmetimin e shpirtit të paqes të Shën Terezës, për të cilin bota ka kaq shumë nevojë. Dashuria e saj për vendlindjen, shqiptarët dhe mbarë botën është model jete për mbarë njerëzimin i cili duhet mbajtur mend jovetëm për disa ditë, por çdo ditë të vitit”, tha Don Lush Gjergji.
Karvani i “Dritës së Gonxhës” vazhdon rrugëtimin me orën letrare që do të mbahet të dielen në Letnicë, ku pritet të lexohen poezi dedikuar Nënës Tereze.
SA