Manastir, 21 nëntor 2017 – Me prezencën e kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, zëvendëskryeministrit Hazbi Lika, kryetares së Komunës së Manastirit, Natasha Petrovska, ambasadorëve, drejtuesve të instituteve albanologjike të Shkupit, Tiranës e Manastirit, dhe studiuesve të shumtë, sot në Manastir u hap tribuna shkencore kushtuar 109 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Shqipes dhe 10-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Kryetari Meta, zëvendëskryeministri Lika dhe kryetarja e Manastirit Petrovska, në hapjen solemne të tribunës, theksuan rëndësinë e kësaj date të madhe historike për popullin shqiptar, duke potencuar edhe nevojën më të madhe të angazhimit institucional për zhvillimin e shkencës dhe kulturës shqiptare.
Më tej, fjalë përshëndetëse patën drejtori i ITSKSH-së, dr.Skender Asani, drejtori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, akademik Marenglen Verli, drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, dr.Sabit Syla dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, dr.Hysen Matoshi.
Më pas, me kumtesat e tyre u paraqitën studiuesit: Valter Memisha: “Kongresi i Manastirit – ngjarje percaktuese ne rrugetimin nje komb nje gjuhe”; Sabile Keçmezi – Basha & Tefik Basha: “Binomi Motrat Qiriazi- misioni atdhetar dhe arsimor i tyre”; Sali Kadria: “Kongresi i Manastirit – Fillimi i mevetesise kombetare te shqiptareve”; Avzi Mustafa: “Arif Hiqmeti, armik i përbetuar ndaj shkronjave shqipe”; Nebi Dervishi: “Shtypshkronja e parë e Kongresit të Manastirit”; Teuta Toska: “Motrat Qiriazi dhe roli i tyre në zgjimin e vetëdijes kombëtare”; Memli Krasniqi: “Raporti i Gjergj Qiriazit mbi Vilajetin e Manastirit”. Ndërsa, akademik Beqir Meta dhe dr.Izaim Murtezani përgatuitën konkluzionet e tribunës, të cilat do të botohen në një nga numrat e ardhshëm të revistës “Scupi”.
Drejtori i ITSKSH-së, dr.Skender Asani, presidentit Meta i dhuroi një pako me libra nga botimet e fundit të Institutit.
Aktivitetet për shënimin e 109-vjetorit të Ditës së Alfabetit, organizohen nën patronazhin e zëvendëskryeministrit të Qeverisës së Maqedonisë, Hazbi Lika.