“POLITIKA SI IDE”, NJË LIBËR QË TEJKALON KORNIZAT DITORE TË POLITIKBËRJES

Prof Dr. Skender ASANI

Libri “Politika si ide”, siç e ka thënë vet autorja është një libër reflektues se si ajo i sheh disa nga çështjet që përballet shoqëria shqiptare, por edhe si një betejë idesh edhe atëherë kur nuk merresh aktivisht me politikë. Nga ajo që na ngelë si një përshtypje e parë, pasi ta kemi lexuar këtë libër, kuptojmë se autorja ka një këndvështrim pak a shumë specifik mbi politikbërjen pasi që atë shpesh herë e sheh të ballafaquar me gjëra që janë bazike për një demokraci funksionale, siç janë zgjedhjet apo mungesa e dialogut politik. Për rrjedhojë ajo me këtë libër i fton elitat politike, intelektualët, dhe shoqërinë në përgjithësi që politikën ta kuptojnë më tepër si filozofi mendimi që do të krijonte një bazament të shëndoshë për zhvillimin e demokracisë funkionale, pa të cilën nuk mund të ketë shtet të konsoliduar. Me fjalë të tjera autorja sikur parapëlqen të vë në spikamë më tepër çështje që i kalojnë kufijtë e politikës së ditës, duke iu dhënë hapësirë më tepër atyre çështjeve ku politika do të duhej shikuar si një lehtësuese e rrugëtimit të shoqërisë në maratonën e gjatë të demokracisë funksionale.

Librin “Politika si ide” i Valentina Leskajt do të duhej ta ketë mbi tryezën e punë çdo politikan, aq më tepër kur ky libër me gjerësinë dhe thellësinë e mendimit na shpie në horizonte të pashkelura të dikursit publik, siç janë bie fjala, feminizmi, apo  sfera e diskutimeve bashkëkohore për popullsinë, një problematikë të cilën autorja e trajton me seriozitetin e një vëzhguese që nga afër e ka ndjekur duke qenë në poziten e politikanes. Pra, siç mund të vërejmë, Valentina Leskaj marrjen me politikë nuk e ka kuptuar vetëm si një çështje pragmatike, por ajo ka arritur të mbindërtojë kauza të cilat në shoqëri mund të prodhojnë ide, mbi të cilat pastaj ndërtohet një diskurs i caktuar publik.

Këtë libër duhet kuptuar edhe si një sinopsis të një drame të madhe shoqërore ku disa procese ende nuk janë mbyllur, si pasojë e politikave jolargpamëse, prandaj autorja me librin e saj iu bën ftesë të gjithëve që politikën të mos e kuptojnë vetëm si instrument për ardhje në pushtet, apo si inxhinjering për prodhimin e konjukuturave politike, por si shansë për të zgjidhur dilemat shoqërore dhe për të hapur horizonte të reja në politikbërje.

Ka plot libra që flasin për politikën, por ky libër i Valentina Leskajt mund të konsiderohet i veçant sepse kap dy skajet e litarit: në njërën anë e kemi përvojën e marrjes me politikë, kurse në anën tjetër e kemi laboratorin e ideve, të cilin autorja me sensin e një studiueseje pedante ka arritur ta vendos në kontekstin e mendimeve dhe veprimeve politike, gjithmonë duke u nisur nga këndvështrimi i saj specifik.

Libri “Politika si ide” mund të prodhojë një gjerësi receptimi publik, por dy janë kategoritë e lexuesit që do të jenë më të lidhur me këtë libër: të parët, do të jenë lexuesit, të cilët jodomosdoshmërisht do të duhej të kenë përgatitje akademike dhe të dytët, do të jenë ata lexues kurreshtarë të cilët pasi që janë lodhur nga leximi i librave me një xhungëll të madhe referencah e tatitikash, më në fund do të hasin në një libër në të cilën i gjen të gjitha: edhe mendimin e sublimuar, edhe analizën e bazuar mbi refernca, edhe idetë që burojnë jo vetëm nga teoria, por edhe nga praktika. Shqipëria në Nato, nga Bukureshti në Strasburg, pushteti i gjuhës, marrëdhënia me tjetrin, çështja e moshimit të popullsisë, kriza demografike, janë vetëm disa nga segmentet, të cilat publiku shqiptar jo që I ka të panjohura, por atij i ka munguar një këndvështrim më specifik që do të depërtonte në thellësinë e problemeve duke pasur për bazë mendimin autentik dhe logjikën e krahasimit, të kombinuara me përfitimet që sjell përvoja e marrjes me politikë aktive.

Si përfundim mund të themi se libri “Politika si ide” jo vetëm që iu ka munguar bibliotekave tona, por ky libër përpos që plotëson një boshllëk në sferën e mendimit publik, ai mund të shërbejë edhe si nxitje për politikanët tjerë që edhe ata të hedhin në letër idetë të cilat mund do  t’iu mbijetonin kornizave ditore të politkikbërjes.

 

Shkup, 06. 12. 2022

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …