“
Prishtinë, 25.08.2020 – Bota nuk është e uritur vetëm për bukë, por edhe për dashuri”. Me këtë thënie të shenjtores shqiptare Shën Nëna Terezë tash e tutje do të “flasë” shqip pllaka përkujtimore në qendër të Shkupit.
Pllaka shqipe, krahas asaj në gjuhën maqedonase dhe angleze që ekzistonte prej kohësh, është vënë të mërkurën në strukturën e bardhë të mermerit në hapësirën e gjelbëruar që ndodhet në rrugën që zgjatet nga sheshi qendror drejt “Portës së Maqedonisë”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
“Pllakë përkujtimore për shtëpinë e Nënës Terezë, me një zgjidhje të re të dinjitetshme. Qasje e re nga pllaka e re te sheshi ‘Maqedonia’”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Për historianin nga Shkupi, Skender Asani, qytetarët tani kanë qasje të lirë për të bërë nderime dhe për të vendosur lule në vendndodhjen e shtëpisë së lindjes së misionares shqiptare.
“Me këtë po hapim udhë që institucionet të përgatisin një infrastrukturë ligjore me të cilën do të vendosin nën mbrojtje shtetërore gjithë trashëgiminë materiale e shpirtërore të Nënës Terezë”, ka shkruar Asani në profilin e tij në Facebook.
Ai ka përkujtuar edhe angazhimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH) dhe shoqërisë civile që, sipas tij, arritën të kurorëzojnë një betejë të dinjitetshme kulturore pa shantazhe dhe presion.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të kultivojmë frymën e Nënës Terezë, në emër të së cilës kemi ngritur edhe një departament të posaçëm në kuadër të ITSHKSH”, ka shtuar Asani.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.