Përurimi i punës së Institutit në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës

Shkup, 2 Mars 2020 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve u shënua 576-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, dhe njëkohësisht u promovua veprimtaria hulumtuese – shkencore dhe botuese të Institutit brenda vitit 2019.

“Tani kur po përkujtojmë 576-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, na imponohet natyrshëm edhe puna që aktualisht po kryen Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Ajo që para kaq vjetëve konsiderohej si mision i Besëlidhjes së Lezhës e që kishte të bënte me bashkimin shpirtëror, hapësinor e ushtarak të princërve dhe principatave shqiptare, për ITSHKSH mund të thuhet se mision sublim është vendosja e parashenjave civilizuese perëndimore mbi identitetin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve të kësaj hapësire administrative”, u shpreh në fillim drejtori i Institutit, Skender Asani.

Sipas tij, ITSHKSH nëpërmjet hulumtimit dhe ndriçimit të traditës së pasur iluministe të familjes Qiriazi, ka si pikësynim nxjerrjen në pah proamerikanizmin e shqiptarëve. Me hapjen e Departamentit për studimin e figurës së Nënë Terezës, duke hulumtuar edhe traditën e pasur të familjeve katolike në Shkup dhe gjetiu, ITSHKSH, synon të artikulojë në përmasa edhe kombëtare edhe ndërkombëtare, kartën e identitetit civilizues të shqiptarëve, kurse me hapjen e Departamentit për studimin dhe edukimin e Holokaustit, ITSHKSH, ka si objektiv shpalosjen e shpirtit human e sakrifikues të shqiptarëve në rrethana të vështira, siç edhe ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore me shpëtimin e dhjetëra familjeve hebreje. Njësoj është synimi edhe me Departamentin e marrëdhënieve shqiptare-osmane, përmes të cilit hulumtojmë interakcionet kulturore dhe trashëgiminë kulturore gjatë një periudhe të gjatë pesëshekullore, u shpreh drejtori Asani.

Ish-sekretari shkencor, Zeqirija Ibrahimi, në pika të shkurta raportoi për punën e Institutit gjatë vitit 2019, ku theksoi angazhimet serioze shkencore në shumë sfera të veprimtarisë hulumtuese – shkencore dhe botuese. Për këtë, fjalë rasti patën edhe bashkëpunëtorët e jashtëm shkencor të ITSHKSH-së, Avzi Mustafa, Nebi Dervishi dhe Izaim Murtezani.

Fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet patën drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela, si dhe drejtori i Shtëpisë Përkujtimore “Nënë Tereza”, Arian Asllanaj. Ndërsa, aktivitetin e nderuan dhe përshëndetën edhe veprimtarët Fatmir Limani, Hysen Berisha dhe Mehmet Prishtina, të cilët uruan për punën e vyer të Institutit në rrafshin shkencor e kombëtar, njëkohësisht duke përcjellë mesazhe paqeje e bashkimi në mes shqiptarëve.

Shikoni gjithashtu

QASJA INSTITUCIONALE DHE SHKENCORE NDAJ FIGURËS SË NËNËS TEREZE

Nga Prof. dr. Skender ASANI Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike …