Përkujtohet tërmeti i vitit 1963 dhe shpërfytyrimi i Shkupit!

Shkup, 26.07.2023 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Myftinia e Shkupit, sot e përkujtuan 60-vjetorin e tërmetit të Shkupit, duke promovuar librin dhe ekspozitën e dokumenteve dhe fotografive me titull “Tërmeti i vitit 1963, shpërfytyrimi i Shkupit”, përgatitur nga studiuesi Skender Asani.

Ngjarjen në fillim e përshëndetën kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, hzf. Shaqir ef. Fetai dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Florian Qehaja.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, edhe në cilësinë e recensentit, tha se shënimet arkivore flasin se qyteti i Shkupit ka evidentuar mbi 100 xhami dhe mesxhide që kishin prona dhe të ardhura të caktuara si shtëpi, dyqane dhe patundshmëri të ndryshme. Shumë prej tyre u dëmtuan nga tërmeti i vitit 1963, siç ishin xhamia Jelen Kapan, xhamia e Faik Pashës e të tjera. Për rimëkëmbjen e kryeqytetit, erdhën ndihma nga të gjitha vendet e botës, por fatkeqësisht një numër i madh i xhamive në qendër të Shkupit, që pësuan dëmtime gjatë tërmetit ose edhe më herët, nuk u përfshinë në planin e ri urbanistik dhe më vonë mbi to u ndërtuan objekte me karakter publik, nënvizoi Ismaili.

Recensenti Sevdail Demiri, u shpreh se ky libër dhe kjo ekspozitë dokumentare, pasqyron një realitet të hidhur për Shkupin e vjetër, i cili më nuk do të jetë si ishte më parë. Kështu, viti 1963 do të shënojë vijën ndarëse në mes Shkupit multikulturor me premisa të theksuara të pranisë së autoktonisë shqiptare-islame, dhe Shkupit të ri e të shpërfytyruar, me tendenca të krijimit të një kryeqendre njënacionale maqedonase me premisa monofetare ortodokse.

Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, i cili ka përgatitur për botim këtë libër dhe ekspozitë, me dokumente kryesisht nga Arkivi Shtetëror i Maqedonisë së Veriut, tha se menjëherë pas tërmetit, nga Shkupi janë shpërngulur 20 mijë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nisur drejt Turqisë, Kosovës, Kroacisë etj. Popullsia shqiptare para tërmetit arrinte deri në 50 për qind, por pas tërmetit përqindja e popullsisë shqiptare ra në mënyrë enorme, kurse e asaj maqedonase u rrit, meqë i sollën mijëra maqedonas nga Greqia dhe Evropa Lindore, të cilëve u siguruan vendbanim dhe punë shtetërore.

Asani shpalosi dokumentin e Komisionit për Çështje Fetare pranë KQ të LKM-së, i cili kërkonte që në qytetin e Shkupit të meremetohen vetëm 3-5 xhami, të cilat sipas tyre mjaftojnë t’i përmbushnin nevojat e komunitetit mysliman, ndërsa të tjerat të rrënohen.

Sipas studiuesit Asanit, qëllimet dhe tendencat e pushtetit komunist maqedonas, nuk ishin vetëm se antishqiptare apo antimyslimane, por ato në radhë të parë ishin antihumane. Mjerisht, një tendencë e tillë vazhdoi edhe në kohn e re, përmes projektit monoetnik dhe monokulturor “Shkupi 2014”.

Aktivitetin e zbukuroi edhe anëtari i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, Selajdin Miftari, duke kënduar me çifteli këngën kushtuar tërmetit të Shkupit.

Ekspozita mbtetet e hapur për vizitorët në Galerinë e Arteve “Çifte Hamam” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …