PËR PROGRAMIN STUDIMOR TË CIKLIT TË DYTË “KULTUROLOGJI”
Programi studimor i ciklit të dytë të studimeve “Kulturologji” në IPSH Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore ofron një edukim gjithëpërfshirës në komunikimin ndërkulturor, analizë ndërdisiplinore të fenomenit të kulturës dhe menaxhim të politikave dhe projekteve në fushën e kulturës.
Programi është konceptuar duke pasur parasysh veçoritë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe nevojën, gjithnjë e më të theksuar për bashkëpunim ndërkulturor dhe integrime të mëtejshme evropiane.
Ky program studimi është krijuar për të përfshirë lëndë nga fusha e historisë, gjuhësisë, letërsisë, sociologjisë, folklorit dhe në këtë mënyrë i pajis studentët për një qasje praktike ndaj dukurive të kulturës dhe ndërmjetësim të suksesshëm dhe produktiv, si aktivitet dhe veprim në fushën e politikës kulturore.
Studimet zgjasin dy semestra, dhe struktura e programit studimor përbëhet nga lëndë të detyrueshme dhe zgjedhore, si dhe mbrojtjen e tezës së magjistraturës. Studimet zhvillohen në gjuhën shqipe, me mundësi zhvillimi të një pjese të lëndëve në gjuhën angleze.
Identiteti kulturor paraqet esencën e identitetit kolektiv – etnik dhe kombëtar të shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Prandaj ne kemi parasysh nevojën e studimit të traditave kulturore si pjesë e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në RMV, dhe të cilat Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si subjekt i autorizuar për mbrojtjen e gjuhës obligon në nivelin më të lartë që të kujdeset për mbrojtjen e kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut në nivel historik dhe bashkëkohor. Një nga faktorët kryesorë për kujdesin ndaj kulturës dhe trashëgimisë kulturore është pikërisht zhvillimi i vetëdijes për kuptimin e identitetit kulturor si segment i rëndësishëm dhe i pandashëm i pasurisë kulturore botërore.
Qasja ndërdisiplinore në mësimdhënie dhe metodologji, e cila përfshin integrimin e njohurive dhe një përzierje të konteksteve historike, gjuhësore, antropologjike dhe të tjera, kontribuon në një kuptim më të thellë dhe gjithëpërfshirës të proceseve kulturore dhe shoqërore nga të gjitha sferat e jetës.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve ka potencialin e personelit dhe hapësirës për të realizuar këtë cikël studimesh.
Me përmbajtjen mësimore që ofrojmë në programin tonë studimor, ne plotësojmë segmentin e tretë dhe më domethënës të procesit arsimor, që është një staf mësimor cilësor, me studime pasuniversitare dhe doktorale të kryera në fusha të ndryshme në universitete të ndryshme. Me lëndët që përfshijnë studimet tona, siç janë: Hyrje në studimet kulturore, Kultura dhe globalizimi, Sociologjia e kulturës, Historia e kulturës në Maqedoni, Kultura elitare dhe masive, Kultura popullore, Trashëgimia kulturore, Imagologjia, Komunikimi dhe identiteti ndërkulturor etj. prodhohet personel me kualifikime të larta që do të kujdeset për zhvillimin e kulturës në nivel të përgjithshëm, përmirësimin e politikës kulturore, përmirësimin e përmbajtjeve të sferës së kulturës në media, por edhe zbatimin e projekteve me interes të përgjithshëm në sektorin publik dhe privat të shtetit.