Nxënës nga Franca dhe Opaja vizituan ITSHKSH-në

Shkup, 18 maj 2023 – Në  kuadër të  projektit Erasmus+ Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe
 me qëllim shkëmbimin e kulturave, sot ITSHKSH-në e vizitoi një grup nxënësish të shkollës fillore “7 Marsi” të fshatit Opajë dhe nxënës të shkollës “Alain Chartier” nga qyteti  Bayeux, Francë, të shoqëruar nga
profesorët francezë: François Le Cardinal, profesor i letërsisë klasike, Éric Goyer-koordinator dhe Laurence Lemarié, profesoreshë  e spanjishtes, si dhe ata shqiptarë: Besnik Ibrahimi-drejtor, Gëzime Ramadani- profesoreshë  e frëngjishtes, Agim Murtezi- pedagog, Afrona Arifi- historiane.
Gjatë kësaj vizite drejtori i Institutit, Skender Asani, bashkë me këshilltarin shkencor, Sevdail Demiri dhe hulumtuesin shkencor, Ardian Ramadani, i njoftuan mysafirët e rinj me procesin hulumtues e shkencor të Institutit, si dhe me aktivitetet e projektet e zhvilluara viteve të fundit.
Duke i përshkuar ekspozitat e përhershme të Institutit për Nënë Terezën, Kongresin e Drejtshkrimit dhe Kongresin e Manastirit, vizitorët kishin mundësinë të njihen me disa nga momentet dhe figurat më të rëndësishme historike për shqiptarët. Më pas, të mbledhur në sallën e madhe të konferencave Woodrow  Willson, përpara publikut me nxënës dhe profesorë, drejtori Asani ndaa me mysafirët disa përvoja dhe emocione, duke shtuar se është kënaqësi e jashtëzakonshme kur Instituti trajton konferenca shkencore për tema të ndryshme kulturore, historike e gjuhësore, por kënaqësi edhe më e madhe se kjo është atëherë kur kemi vizitorë nxënës, e në veçanti të shtetit të Francës, siç është rasti i sotëm, sepse në këtë mënyrë kemi mundësinë t’i njoftojmë ata me trashëgiminë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, tha Asani.
Sa i përket realacioneve franko-shqiptare, drejtori Asani  gjithashtu bëri të ditur disa fakte të rëndësishme historike, si , bie fjala, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, shumë udhëpërshkrues dhe diplomatë francezë kanë kaluar në trevat shqiptare, e rrëfimet e tyre ndodhen në arkivat franceze, të cilat së shpejti do të vizitohen nga Instituti për të mbledhur dokumentacionin e pasur, që ndihmon në përpjekjen për ta shkruar historinë e së kaluarës së shqiptarëve.
Ndërkaq profesori François Le Cardinal nga Franca, u shpreh se ishte shumë i lumtur që ëndrra që kishte pasur i ishte realizuar, e kështu ishte zhvilluar një shkëmbim i mirëfilltë eksperiencash mes nxënësve të Francës dhe të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, vlerë të veçantë përmban mundësia për të krahasuar dy realitetet shumë të ndryshme të shtetit-komb mes këtyre dy shteteve, sepse kjo u ofron nxënësve një diapazon më të gjerë kuptimësie për vendet dhe kulturën e popujve. Gjithashtu, ai veçoi virtytin e mikpritjes së shqiptarëve, duke marrë parasysh edhe faktin se gjatë periudhës disaditore në vendin tonë, nxënësit nga Franca ishin akomoduar në shtëpitë e nxënësve të shkollës “7 Marsi” në  Opajë.
Në mbyllje të ngjarjes, nën moton “Njëri për tjetrin” drejtori i ndau një mirënjohje profesorit François Le Cardinal për kontributin e tij në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, si dhe dhe i dhuroi disa botime të Institutit.

 

Shikoni gjithashtu

U shënua 44-vjetori i Pranverës së Dinjitetit dhe u ndan diplomat e magjistrantëve

Shkup, 11.03.2025 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup …