JOKLI DHE HEBRENJTË GËZUAN MBËSHTETJEN E PAKURSYER TË SHQIPTARËVE

Gjakovë, 28.01.2021 –  Në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, një aktivitet iu kushtua albanologut të shquar austriak me origjinë hebraike, Norbert Jokli. Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, pati një fjalë rasti, të cilën të plotë po e paraqesim më poshtë:

 

NORBERT JOKLI DHE HEBRENJTË E MAQEDONISË GËZUAN MBËSHTETJEN E PAKURSYER TË SHQIPTARËVE

 

Përpjekjet e shqiptarëve në Shkup gjatë Luftës së Dytë Botërore në shpëtimin e hebrenjve përkojnë me angazhimet e intelektualëve të shquar shqiptarë si Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci etj., të cilët u përpoqën në forma të ndryshme për mbrojtjen e Norbert Joklit, një nga albanologët më të shquar, krahas Hanit, Meyerit, Pedersenit. Jokli u ndoq dhe u persekutua për shkak të origjinës së tij hebreje.

Norbert Jokli la një trashëgimi të pasur studimesh për shqipen. Po përmend këtu “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” (Vjenë 1911), “Kërkime gjuhësore-kulturohistorike nga fusha e shqipes” (Berlin 1923), “Kontribute gjuhësore për paleontologjinë e Gadishullit Ballkanik” (Vjenë 1984), si dhe një varg punimesh e artikujsh në revista të veçanta të specializuara.

Jokli e mësoi gjuhën shqipe në moshën 30 vjeçare, duke ndjekur kursin që asokohe udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas i pasuroi njohuritë si autodidakt me ndihmën e studentëve shqiptarë të atëhershëm në Vjenë. Ishte meritë e tij që më 1914 në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolëse.

Rreth përkushtimit të Norbert Joklit për gjuhën shqipe dëshmon dhe një shkrim i Ernest Koliqit, ku përshkruhet vizita e bërë së bashku me Aleks Budën në shtëpinë e Joklit në dhjetor të 1937, të botuar një vit më vonë te “Demokratia” e Vangjel Koçës: “E më çoi fíll ke nji raft librash […] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shti për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zemra më ndrydhej. Paska qenë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”.

Sa i përket angazhimit të shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë për t’i dalë në ndihmë kolegut të tyre të rrezikuar, Norbert Joklit, po përmend letrën e Gjergj Fishtës drejtuar Jakomonit, e datës 23 shtator 1939, përmes së cilës mësojmë se Shqipëria ishte vërtet vendi që u tregua i gatshëm ta strehonte, por Jokli kërkonte të nisej drejt Amerikës.

Në tetor të vitit 1941, Ernest Koliqi iu drejtua me një letër konsullit shqiptar, Nikollë Rrotës në Vjenë, ku bënte të ditur se e kishte angazhuar profesor Joklin si mbarështrues të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Albanologu mendonte të shkonte në Shqipëri e të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale.

Në letërkëmbimet dhe dokumentet e tjera dalin në pah edhe disa përpjekje të intelektualëve shqiptarë për të shpëtuar albanologun, Norbert Jokli, por pa sukses, për arsye se ai përfundoi në duart vdekjeprurëse të nazistëve në vitin 1942.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup është zotuar që në mënyrë shkencore e të argumentuar të afirmojë kontributin që kanë dhënë shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore për shpëtimin e hebrenjve, me ç’rast janë bërë dhe publikimet e ndryshme që dëshmojnë për këtë veprimtari.

Pikërisht duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndriçimit të këtij kontributi, brenda Institutit e krijuam Departamentin e veçantë, që të merret më përafër me gjithë atë që ka ndodhur gjatë Luftës në fjalë me hebrenjtë në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës së përmendur. Me themelimin e këtij Departamenti Instituti ynë bëhet kështu institucioni i vetëm shkencor në rajon. Dëshmi autentike e kësaj strategjie është edhe botimi i librit “Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare” nga autorët Skënder Asani, Nora Maliqi-Zylali dhe Vllado Popovski.

Ky libër është vepër e parë e këtij karakteri në rajon, i cili përpos rëndësisë eksplicite studimore nga fusha e legjislacionit, nxjerr në pah edhe një rëndësi tjetër që lidhet me synimet e ITSHKSH-së, për të përmbushur objektivat tona të Departamentit e të forcimit të tij.

Për të thelluar bashkëpunimin në disa sfera me interes për të ardhmen e Institutit dhe për avancimin e përgjithshëm të njohurive mbi miqësinë tradicionale shqiptaro-hebraike, ne si Institut në dhjetor të vitit 2019 realizuam një vizitë disaditëshe në Izrael, me ç’rast u pritëm nga ana e Ministrisë së Jashtme Izraelite, konkretisht nga Departamenti për Ballkanin, i udhëhequr nga z. Dan Oryan. Me këtë rast ai, në emër të tij dhe të Qeverisë së Izraelit, e falënderoi Institutin tonë për shqyrtimin dhe bërjen publike të temave e problematikave që kanë të bëjnë me Holokaustit, përmes ekspozitave, projekteve e konferencave të ndryshme shkencore.

Në Jerusalem dhe në mbarë Izraelin, siç dihet, ka shumë familje që i kanë mbijetuar Holokaustit, kurse në mesin e tyre janë edhe mjaft të tillë që kishin jetuar në Shkup dhe në qytetet tjera të Maqedonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë vizitës sonë, ne takuam disa familje, të cilat na premtuan se do të na i japin t’i botojmë kujtimet e tyre gjatë momenteve të vështira të përjetimit të Holokaustit.

Doracaku “Rekomandime për mësimdhënien dhe mësimnxënien mbi Holokaustin” vitin e kaluar u botua në katër gjuhë: maqedonase, shqipe, turke dhe serbe. Përmes përparimit dhe promovimit të arsimit, kujtimit dhe studimit të Holokaustit do të nderohen viktimat, por gjithashtu gjeneratat e reja do të mësojnë për pasojat e krimit më të madh mbi njerëzimin. Kjo ishte dhe arsye që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve e përgatiti dhe e betoi këtë doracak.

Në këtë mënyrë është krijuar një bazë e fortë për krijimin e infrastrukturës shkencore dhe hulumtuese mbi Holokaustin.

ITSHKSH do t’i vazhdojë edhe këtë vit aktivitete shkencore e hulumtuese përmes punës së studiuesve tanë për t’u bashkuar me ndriçimin e korpusit të madh tematik mbi Holokaustin.

 

Dr. Skender ASANI

drejtor ITSHKSH, Shkup

 

Shikoni gjithashtu

DREJTORI I ITSHKSH-së ASANI REALIZOI NJË VIZITË TË SUKSESSHME PUNE NË KROACI

Shkup, 23 tetor, 2024 – Drejtori i ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, ka qëndruar në një …