“Një komb – një gjuhë” në Shkup

Në vazhdën e aktiviteteve të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, të martën (më 22 nëntor 2022) në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup do të mbahet sesioni konferenca mbarëkombëtare shkencore “Nj komb – një gjuhë” që organizohet përkitazi me 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Në të vërtetë, 22 Nëntori është edhe ditëlindja e Institutit, që sivjet shënon 15 vjet, ndërsa – duke qenë dita e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit – kjo datë në Maqedoninë e Veriut është festë shtetërore për shqiptarët e këtij vendi.

Përveç konferencës shkencore, do të hapet edhe ekspozita dokumentare e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Tiranës me titull “Nga alfabeti në drejtshkrim”, ndërsa me këtë rast do të promovohet libri “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa” të prof. Xhevat Lloshit, për të cilin do të referojnë prof. Qemal Murati dhe prof. Zeqirija Ibrahimi.

Konferenca shkencore organizohet nga tri institucionet shkencore simotra të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit: Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Instituti e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Organizatorët janë dakorduar që, përveç titullarëve, në secilin sesion të marrin pjesë nga dy pjesëmarrës të institucioneve të tjera. Kështu, përveç pjesëmarrësve nga Maqedonia e Veriut, në sesionin e Shkupit do të marrin pjesë dy kumtues nga Tirana, pjesëmarrësi i Kongresit të Drejtshkrimit prof. Xhevat Lloshi dhe prof. Valbona Sinanaj, ndërsa nga Prishtina do të kumtojnë prof. Abdurrahim Maxhuni dhe prof. Sejdi Gashi.

Konferencën në Shkup e mbështet Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, ndërsa zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi, do të ketë një fjalë rasti.

Punimet e konferencës fillojnë në orën 10.00

Shikoni gjithashtu

Shefi i zyrës politike të Ambasadës Amerikane Dejvid Majers vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me ITSHKSH-në

Shkup, 6 mars 2025 – Në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar midis ITSHKSH-së dhe ambasadës së …