Romani “Eskadronët e vdekjes” i autorit Bardhyl Mahmuti, është një dokument artistik që letrarizon një realitet të mbartur me kontradikta midis aspirates së lirisë dhe pasionit morbid të pushtimit. Të ndodhur në mes të këtyre dy linjave narrative, personazhet e këtij romani përmes luftës së tyre të brendshme shpirtërore e etike, projektojnë një botë të jashtme e cila nuk është krejt bardh e zi, sepse këtë na e mundëson ndërthurja mjeshtërore e realitetit praktik dhe atij fiktiv.
Autori Bardhyl Mahmuti nuk ka ardhë krejt rastësisht te saga e tij letrare, pasi që atë e ka ngritur mbi një përvojë të pasur hulumtimesh jo vetëm të natyrës njerëzore, por edhe të anatomisë së një kohe që prodhoi kaq shumë tragjedi për një popull, siç ishin shqiptarët.
Nga ky roman dalin shumë mesazhe, por kryemesazhi rreth të cilit sillet arkitektura letrare është se krimi shtetëror serb ndaj shqiptarëve kishte arritur të bëjë bashkë kundërshtar nga të dy etnitë, ku shqiptarët me stoicizmin e tyre arrijnë të bëhen objekt frymëzimi edhe për pjesën tjetër të serbëve që kishte aversion ndaj erës së gjakut, dhe ndaj krimeve që kryenin bashkëkombasit e tyre.
Si i tillë romani“Eskadronët e vdekjes” rezulton të jetë një dokument artistik që projekton letrarisht anatominë e natyrës së dyzuar të njeriut në kohë e hapësira të njejta por edhe të ndryshme.
Një roman i shkëlqyer mbi solidaritetin njerëzor por edhe përmendore e triumfit të së mirës ndaj të keqes, të paqës ndaj luftës.
Historikja, realja, mitikja vijnë të shtresuara në laboratorin krijues të autorit dhe lexuesi nuk do ta hetojë se fundi i romanit sjell edhe befasitë që vetëm një mjeshtër i rrëfimit mund t’i kontekstualizojë në varshmëri me pozicionet morale, etike e njerëzore të personazheve.
Shkup, 18 maj 2022
Prof. dr. Skender Asani, drejtor i ITShKSh