Shkup, 20.11.2020 – Në kuadër të manifestimit shkencor-kulturor “Ditët e Alfabetit”, që po organizohet këto ditë nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, sot – po ashtu në frymën e afirmimit të femrës shqiptare – u organizua një sesion për studiuesen e letërsisë nga Tirana, akad. Floresha Dado.
Me këtë rast drejtori i ITShKSh-së, dr. Skender Asani, tha se: “Studiuesja Floresha Dado, me veprën e saj studimore të letërsisë shqiptare, tashmë i ka tejkaluar kufijtë e Republikës së Shqipërisë, madje edhe të Republikës Letrare Shqiptare dhe sot është një emër i nderuar me përmasa botërore të studimit të letërsisë, andaj kjo është një arsye më shumë që kjo ditë t’i kushtohet pikërisht veprës së saj”.
Për veprimtarisë hulumtuese të prof. Dado foli edhe studiuesi nga Tirana, prof. Ymer Çiraku, i cili si një studiues që nga afër e ka njohur ndjekur punën hulumtuese të prof. Floresha Dados, tha se ajo është ndër emrat më të rëndësishëm, nëse jo edhe më i rëndësishmi, që sot merret me studimin e letërsisë shqiptare dhe që e afirmon atë në përmasa kombëtare dhe jo vetëm.
Drejtori i Institutit Albanologjik nga Prishtina, Hysen Matoshi, në këtë rast tha se “Rezultatet e Floresha Dados janë produkt i dijeve të dëshmuara në fushën e teorisë ë letërsisë dhe të ndërlidhjes së tyre me paraqitjen e veprave letrare në kronologjinë historike, përkatësisht të dimensionit estetik me dimensionin historik”.
Prof. Agim Leka nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, tha se: “Floresha Dado nuk është më vetëm një studiuese e letërsisë shqiptare, por ajo është një fenomen në studimet e letërsisë, andaj mund të konsiderohet edhe si institucion në vete”.
I fundit mbajti fjalë shkrimtari Emin Azemi, shkrimtar dhe studiues i letërsisë, i cili tha se: “Floresha Dado është identiteti më përfaqësues i sistemit vlerësues në letrat shqipe, duke vendosur brenda këtij sistemi një mori normash të avancuara teorike e estetike mbi letërsinë dhe kompleksitetin e veprës letrare në tërësi”.
Akad. Floresha Dado, përmes një video-komunikimi nga Tirana, falënderoi Institutin për angazhimin e ndërmarrë, njëkohësisht duke bërë edhe një rezyme të shkurtër të interesimit të saj shkencor.
Manifestimi shkencor-kulturor “Ditët e alfabetit” vazhdon edhe nesër me një akademi shkencore, që po ashtu do të organizohet me personalitete të larta politike, me praninë e kryetarëve të akademive të Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës, si dhe me praninë e studiuesve më të njohur të Kongresit të Manastirit.