Shkup, 22.10.2018 – Sot në Shkup nisi punimet edicioni i të parë i Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë, në kuadër të të cilit i zhvillon punimet konferenca shkencore: “Ballkanologjia sot dhe komunikime ndërballkanike”.
Seminari u hap nga drejtuesi i saj, Qemal Murati, i cili theksoi nevojën për mbajtjen e këtij aktivitei shkencor, që ka për qëllim ballkanologjinë ta trajtojë si një si një shkencë të mirëfilltë, larg politizimeve, romantizmave e mitizimeve të kota.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se sot po hapim një kapitull të ri të Institutit tonë, me instalimin e një instrumenti të ri organizativ – shkencor, Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë, i cili mëton të sjell një qasje të re dhe argumentuese mbi ballkanologjinë.
Fjalë përshëndetëse patën ministëri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, si dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Arbër Ademi, të cilët theksuan rëndësinë e komunikimit të ndërsjellë mes popujve ballkanikë.
Pas hapjes soleme, filloi punimet sesioni i Letërsisë, ku me punimet e tyre u paraqitën studiuesit e njohur: Rexhep Qosja (në mungesën e tij fizike, kumëtesën e lexoi udhëheqësja Valdeta Kasapi), Floresha Dado, Agim Vinca, Hysen Matoshi, Isak Shema, Sadri Fetiu, Izaim Murtezani, Adem Jakllari, Avzi Mustafa dhe Viktor Bikallari.
Në sesionin e Gjuhësisë referuan studiuesit: Gerd Dieter Hering, Shefkije Islamaj, Emil Lafe, Gjovalin Shkurtaj, Xhelal Ylli, Ali Jashari – Aldo Cicko (Jashari), Valter Memisha, Rusana Hristova-Bejleri, Giovanni Belluscio, Qemal Murati, Zeqirija Ibrahimi, Bardhosh Gaçe, Dhimitri Bello, Idriz Metani, Olger Brame, Izer Maksuti dhe Xhafer Beqiraj.
Sesioni i Etnokulturologjisë dhe Historisë, zhvillohet ditën e nesërme (23 tetor 2018, ora 10:00), ndërsa do të referojnë studiuesit: Robert Pichler, Ana Čupeska Stanishkovska, Reis Mulita-Zlber Sela, Nuri Bexheti, Ibrahim Gashi, Nebi Dervishi, Anton Pançev, Milazim Elshani – Daut Bislimi, Mixhait Pollozhani, Nail Draga, Sefer Tahiri, Agim Poshka dhe Konrad Clewing.
Po ashtu, nesër prej ora 12:00, do të promovohen veprash përkushtimore për Skënderbeun: “Skenderbeu në vendet nordike” nga autorët Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, “Shkupi për vitin e Skenderbeut” (1468-2018), ITSHKSH-Shkup dhe revista “Studime Albanologjike” nr. 17.