Nga 14 deri më 22 nëntor, vjen edicioni i IV i “Ditëve të Alfabetit”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, sivjet për të katërtin vit me radhë do të organizojë manifestimin kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, me sesione shkencore, promovime librash e ekspozitash me mjaft interes.

Tema qendrore e edicionit të sivjetmë është “Studimet albanologjike në gjuhën gjermane”, ku një sërë studiuesish të njohur të studimeve albanologjike, do të shtjellojnë temat e tyre prej 14 e deri më 22 nëntor 2022 në ITShKSh – Shkup.

Kështu, në ditën e parë të hapjes së edicionit më 14 nëntor 2022 prej ora 11, përpos fjalëve përshëndetëse, do të bëhet promovimi i pullës postale kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, si dhe promovimi i botimit “Ditët e Alfabetit” – III.

Më 15, 16 dhe 17 nëntor, temat e tyre të larmishme mbi studimet albanologjike në gjuhën gjermane do t’i shtjellojnë studiuesit e njohur nga mbarë hapësira kombëtare shqiptare, si: Anila Omari, Albert Riska, Teuta Arifi, Qemal Murati, Elda Gjana, Anton N. Berisha, Xhafer Beqiraj, Vilson Marku, Izer Maksuti, Ylber Sela, Mimoza Kore, Besnik Rameti, Emin Azemi, Sali Islami e të tjerë.

Më 21 nëntor prej ora 11, do të bëhet promovimi i librit të autorit Agim Vinca: “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”.

Dhe, më 22 nëntor 2022, prej ora 10 do të mbahet akademia solemne, ekspozita “50 vjet drejtshkrim”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, si dhe promovimi i librit të autorit Xhevat Lloshi: “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa”.

Po këtë ditë, do të mbahet edhe sesioni shkencor: “Një komb – një gjuhë”, një organizim i përbashkët mes ITShKSh-së, Akademisë së Studimeve  Albanologjike të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Kosovës.

 

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

Drejtori Asani: Na pret bashkëpunim i frytshëm me Bashkësinë Islame

Shkup, 23 janar 2023 – Sot, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të …