Ditët e Alfabetit vazhdojnë sot me një sesion tematik kushtuar dy perlave të muzikës shqiptare -Nexhmije Pagarushë dhe Hanife Sejfulla Reçanit. Kur jemi përcaktuar për këtë temë kemi pasur parasysh tre faktorë:
E para – depërtimi i zërit të gruas në një shoqëri patriarkale, ka qenë sfidë dhe të gjithë ato që kanë provuar ta rrëzojnë këtë mur refuzimi janë ballafaquar me paragjykime dhe stigmatizime nga më të ndryshmet.
E dyta – a është i mundur suksesi i gruas pa ndihmën e burrave? Një kohë të gjatë ka ekzistuar një mendësi e gabuar se garantues i suksesit të një gruaje patjetër duhet të jetë burri
E treta – afirmimi i gruas shqiptare në një dimension më të gjerë publik, ka shënuar shkallën e përparimit të shoqërisë
Duke i sublimuar të tre këta faktorë, mendja na shkon tek Naim Frashëri i cili me të drejtë thoshte se gruaja duhet të jetë më shumë e ditur se burri. Për ta zbërthyer këtë thënie mjafton të përkujtojmë faktin se gruaja-nëna është shtylla e edukimit në familje dhe sa më e ditur të jetë nëna-gruaja, aq më i edukuar bëhet fëmija, rrjedhimisht edhe shoëqria.
Dy perlat e muzikës shqiptare – Nexhmije Pagarusha dhe Hanife Sejfulla Reçani, sigurisht që janë emblema e emancipimit tonë kombëtar, por edhe treguesi më real i arritjeve të tyre në saje të talentit dhe përkushtimit ndaj këngës. Mund ta nënkuptojmë faktin se fama e tyre nuk ka qenë e izoluar nga përpjekjet dhe angazhimet e një rrethi më të gjerë profesionistësh e mbështetësish të talentit të tyre, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngritjen dhe afirmimin e tyre, por të gjitha këto do të binin në ujë nëse Nexhmije Pagarusha dhe Hanife Sejfulla Reçani nuk do të përkushtoheshin me zell mjeshtrisë së këngëtimit. Që të dyja krijuan identitetin e tyre vocal dhe interpretues, prandaj jo ratësisht këngët e tyre janë të pavdekshme. Ato edhe sot dëgjohen me ëndje dhe ky është tregues më i mire i rezistimit të vlerave të mirëfillta muzikore ndaj kiçit dhe tallavasë.
Ndonëse që të dyja vijnë nga treva të ndryshme shqiptare, ato megjithatë sjellin mozaikun e koloritit të pasur të këngës shqipe dhe si të tilla ato mund të konsiderohen edhe si begati kulturore që mbajnë gjallë dhe frymëzojnë brezat e rinjë në kultivimin e vlerave krijuese mbi tabanin e trashëgimisë sonë të pasur muzikore, siç janë dy perlat NexhmijePagarusha dhe Hanife Sejfulla Reçani.
Shkup, 16 nëntor, 2020
Dr. Skender ASANI- drejtor i ITSHKSH, Shkup